Trump akuzon Iranin për dezinformim: Kushtet e publikuara nuk kanë lidhje me marrëveshjen
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, akuzoi sot Iranin për përhapje dezinformatash lidhur me një marrëveshje të mundshme mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump deklaroi se kushtet që Irani ka bërë publike në media “nuk kanë asnjë lidhje” me dokumentin që, sipas tij, është dakordësuar me shkrim mes palëve.
“Kushtet që ata kanë publikuar nuk kanë asnjë lidhje me ato për të cilat është rënë dakord me shkrim. Ajo që kanë thënë, përfshirë deklaratën e tyre të dobët dhe patetike për një marrëveshje, nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan shkoi më tej duke akuzuar autoritetet iraniane për mungesë serioziteti në procesin negociues.
“Janë njerëz shumë të pandershëm për të negociuar. Me ta nuk ekziston koncepti i negociimit me mirëbesim. Duhet të rregullojnë sjelljen e tyre dhe shpejt”, shtoi ai.
Megjithëse nuk dha detaje konkrete mbi përmbajtjen e marrëveshjes, Trump la të kuptohet se një dokument kornizë mes SHBA-së dhe Iranit mund të nënshkruhet gjatë fundjavës, ndoshta në Evropë.
Sipas tij, një marrëveshje e tillë do të shërbente si bazë për negociata të mëtejshme me synimin për t’i dhënë fund përfundimisht konfliktit mes palëve.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën operacionet ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt. Edhe pse që prej prillit është në fuqi një armëpushim, tensionet mbeten të larta dhe gjatë javëve të fundit janë raportuar sulme të ndërsjella mes palëve.







