Suedia paralajmëron: Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s në të ardhmen e afërt
Një sulm ushtarak rus ndaj vendeve anëtare të NATO-s mund të ndodhë në një të ardhme relativisht të afërt, nëse Moska e konsideron momentin të favorshëm. Paralajmërimi vjen nga Komiteti Parlamentar i Mbrojtjes i Suedisë në raportin e tij më të fundit mbi situatën e sigurisë në Evropë.
Sipas raportit, nuk mund të përjashtohet mundësia e një sulmi të armatosur ndaj Suedisë ose aleatëve të saj, ndërsa Rusia mund të përpiqet të testojë kohezionin dhe besueshmërinë e Nenit 5 të NATO-s, që garanton mbrojtjen kolektive të vendeve anëtare.
Komiteti vlerëson se Kremlini mund të ndërmarrë veprime ushtarake edhe pa pasur kapacitete për një ofensivë të gjerë, duke llogaritur në faktorë politikë apo strategjikë që mund t’i konsiderojë në favor të tij.
Kryetari i komitetit, Jörgen Berglund, deklaroi se situata e sigurisë në Evropë mbetet serioze dhe e paparashikueshme.
“Mund të vërejmë se situata e sigurisë vazhdon të jetë e rëndë dhe karakterizohet nga një shkallë e konsiderueshme e paparashikueshmërisë. Ekziston rreziku i një përkeqësimi të shpejtë me pasoja serioze për sigurinë e Suedisë dhe të gjithë Evropës”, u shpreh ai.
Edhe Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura Suedeze, Mikael Claesson, kishte paralajmëruar më herët se Rusia mund të kërkojë të përfitojë nga dobësitë aktuale të vendeve perëndimore, ndërsa këto të fundit vijojnë procesin e riarmatimit.
Paralajmërimet vijnë dy vite pasi Suedia iu bashkua NATO-s në vitin 2024, duke i dhënë fund më shumë se 200 viteve të neutralitetit ushtarak. Vendimi u mor pas pushtimit rus të Ukrainës dhe ndryshimit të situatës së sigurisë në Evropë.
Në këtë kuadër, Stokholmi planifikon të rrisë shpenzimet për mbrojtjen në 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030, nga 2.8% që janë aktualisht, në përputhje me objektivat e aleancës së NATO-s.







