×
Thursday, June 11, 2026

Balla për deklaratën e Spiropalit: Kur të vijë në grup dhe të shprehë shqetësimet, do t’i dëgjoj me vëmendje

June 11, 2026


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, komentoi sot deklaratat e deputetes, Elisa Spiropali, lidhur me nevojën për një marrëveshje të re për Shqipërinë, duke theksuar se nuk i ndjek të gjitha postimet e deputetëve apo anëtarëve të Partisë Socialiste në rrjetet sociale.

Në një prononcim për mediet jashtë ambienteve të Kuvendit, Balla tha se çdo shqetësim apo qëndrim politik duhet të diskutohet fillimisht në forumet e partisë dhe në mbledhjet e grupit parlamentar.

“Unë nuk ndjek postimet e të gjithë deputetëve apo anëtarëve të Partisë Socialiste, por si kryetar grupi, kushdo që ka një shqetësim mund ta paraqesë në mbledhjet e grupit. Sapo zhvilluam sot në mëngjes mbledhjen e grupit parlamentar dhe ajo nuk ishte e pranishme”, u shpreh Balla.

Ai shtoi se është i gatshëm të dëgjojë çdo shqetësim që mund të ketë Spiropali apo çdo deputet tjetër socialist dhe më pas të japë sqarime publike.

“Kur të vijë dhe të ma thotë aty, do ta dëgjoj me vëmendje dhe menjëherë pasi ta dëgjoj do të vij edhe këtu para jush për t’ju sqaruar, sepse kjo është detyra ime”, deklaroi Balla.

Deklarata e tij vjen pas reagimeve të shkaktuara nga qëndrimet e Elisa Spiropalit lidhur me protestat qytetare dhe nevojën për një marrëveshje të re për Shqipërinë.




Comments are closed.