Irani kërcënon bazat amerikane në rajon: Do të godasim burimin e çdo sulmi
Irani ka dënuar ashpër sulmet e fundit të Shteteve të Bashkuara ndaj objektivave ushtarake iraniane, duke i cilësuar ato si një shkelje të hapur të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme iraniane paralajmëroi se çdo vend i Lindjes së Mesme që strehon forca amerikane mund të kthehet në objektiv nëse sulmet ndaj Iranit përsëriten.
Sipas Teheranit, forcat iraniane kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme ndaj bazave dhe aseteve amerikane në rajon, të cilat, sipas tyre, janë përdorur për të ndërmarrë sulme kundër Iranit.
“Irani nuk do të hezitojë të shënjestrojë burimin e sulmeve”, thuhet në deklaratën e autoriteteve iraniane.
Tensionet mes dy vendeve u rritën ndjeshëm pasi SHBA ndërmori sulme ndaj objektivave iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit, në përgjigje të rrëzimit të një helikopteri ushtarak Apache.
Më pas, Irani njoftoi se kishte kryer sulme ndaj objektivave në Bahrein, Kuvajt dhe Jordani. Megjithatë, deri tani nuk ka konfirmime zyrtare për dëme në instalacionet amerikane në këto vende, ndërsa autoritetet raportuan aktivizimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, zhvilloi biseda telefonike me homologët e tij në Arabia Saudite dhe Turqi për situatën e sigurisë dhe zhvillimet e fundit pas sulmeve amerikane.







