Rama rrëfen si u bë kryetar i PS: “Sokrati nuk më la të hyja në mbledhje”
June 9, 2026
Kryeministri Edi Rama ka ndarë një episod të gjatë nga fillimet e tij në Partinë Socialiste gjatë festimeve për 35-vjetorin e PS në Fier, duke treguar vështirësitë dhe kundërshtitë që hasi kur vendosi të kandidonte për drejtimin e partisë.
Në fjalën e tij para socialistëve fierakë, Rama kujtoi se kandidimi i tij për kryetar të Partisë Socialiste u konsiderua një “skandal” në atë kohë, pasi sipas tij, kultura politike e partisë nuk e pranonte që dikush të shpallte hapur ambicien për të marrë drejtimin e saj.
“Dilemën e zgjidha duke parë Sokratin. Kur unë kandidova për herë të parë për kryetar i Partisë Socialiste, ishte një skandal i madh, sepse Partia Socialiste nuk e kishte zakonin që të lejonte njerëz të dilnin dhe të thoshin ‘dua të bëhem kryetar i PS’. Ishte skandal edhe sepse unë isha kryetar i Bashkisë së Tiranës, sapo kisha fituar mandatin e dytë pas vitit 2003 dhe socialistët më shikonin si një njeri të çmendur, siç më kishin parë prej kohësh, por edhe si një njeri të pafytyrë e tradhtar, sepse po i dilja përballë liderit të pakontestueshëm të partisë”, u shpreh Rama.
Ai tregoi se në atë periudhë strukturat e partisë funksiononin përmes komiteteve drejtuese në rrethe dhe hyrja në këto forume ishte e kontrolluar.
“Sistemi i PS ishte me komitetet drejtuese të rretheve. Nuk hynte e dilte kush të donte. Nuk kishte kamera, nuk kishte media. Aty mbahej raporti dhe votoheshin delegatët. Shkoj unë në Mallakastër për të paraqitur platformën time. Te dera del Sokrati. Më pyet: ‘Urdhëro?’. Ishte komplet si armik i brendshëm. Më tha: ‘Ç’lidhje ke ti me komitetin?’. I thashë: ‘Jam kandidat për kryetar të Partisë Socialiste’. Ai më tha: ‘Jo, nuk ka kandidatë. Kandidatët dalin në kongres’. I kërkova të futesha dhe të flisja, por ai tha se do të konsultohej me përfaqësinë”, rrëfeu Rama.
Sipas tij, pak minuta më vonë mori një përgjigje zyrtare me shkrim.
“Vjen pastaj me një letër serioze, me vulë, me firmë dhe më thotë: ‘Nuk ju lejohet hyrja në komitet’. Dhe nuk u futa. Pastaj e çava në disa komitete të tjera. Historia vazhdoi dhe unë u bëra kryetar i Partisë Socialiste”, tha ai.
Kryeministri kujtoi më tej se edhe pas zgjedhjes së tij në krye të PS-së, strukturat e Fierit mbetën skeptike ndaj tij për një kohë të gjatë.
“Unë u bëra kryetar i Partisë Socialiste në Tiranë, por grupi i Fierit, megjithëse më votuan, nuk u bind menjëherë. Shoku Sokrat erdhi më pas dhe më tha: ‘Votën ta dhamë, tani e more, do të të shikojmë’. Aty ishte i gjithë grupi i Fierit. Aty ishte edhe Rajmonda Stefa. Grua e mirë, e dashur, komunikuese. Rajmonda ma ka marrë jetën që unë të bindja Partinë Socialiste të Fierit se isha ai i duhuri”, tregoi Rama.
Ai shtoi se vetëm pas një periudhe të gjatë pune dhe komunikimi arriti të fitonte besimin e socialistëve fierakë.
“Vetëm pas disa kohësh, kur të gjithë të tjerët ishin dorëzuar, më prisnin me përqafime. Vija në Fier dhe më thoshin: ‘Hë, erdhe ti’. Kur fitova edhe zemrën e Rajmondës, aty u bëra kryetar”, tha Rama mes duartrokitjeve të të pranishmëve.
Në fund të fjalës së tij, kreu i qeverisë vlerësoi peshën që ka organizata socialiste e Fierit brenda Partisë Socialiste, duke e cilësuar atë si një nga bazat më të rëndësishme të forcës politike që drejton.
“Prandaj, kush ka mbështetjen, simpatinë, energjinë dhe mbi të gjitha kush ka Partinë Socialiste të Fierit si organizatë, jo vetëm si frymë dhe si familje, atëherë mund të thotë se ka me vete kryeqytetin e Partisë Socialiste”, deklaroi Rama.