Trump akuzon Iranin për rrëzimin e një helikopteri amerikan: SHBA do të përgjigjet
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka akuzuar Iranin për rrëzimin e një helikopteri ushtarak amerikan pranë Ngushticës së Hormuzit, duke paralajmëruar se Uashingtoni do t’i përgjigjet këtij veprimi.
Në një reagim në platformën Truth Social, Trump tha se sulmi ndaj helikopterit Apache kërkon një kundërpërgjigje nga SHBA.
“Dy pilotët janë shpëtuar dhe janë në gjendje të mirë, por Shtetet e Bashkuara duhet, nga domosdoshmëria, të përgjigjen ndaj këtij sulmi”, shkroi ai.
Sipas zyrtarëve amerikanë, dy anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan nga një dron detar amerikan pas rrëzimit të mjetit fluturues.
Ngjarja shënon humbjen e parë të një helikopteri Apache që prej nisjes së konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit, duke rritur më tej tensionet në rajonin e Gjirit Persik.







