×
Monday, June 8, 2026

Marta Kos uron Kurtin për fitoren: Forcat politike të bashkohen për stabilitetin e Kosovës

June 8, 2026


Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, ka uruar liderin e Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit në Kosovë.

Përmes një postimi në platformën X, Kos vlerësoi procesin zgjedhor, duke e cilësuar atë të qetë, gjithëpërfshirës dhe të rregullt.

“Urime Albin Kurti për fitoren e zgjedhjeve në Kosovë dhe, më e rëndësishmja, për procesin e qetë, gjithëpërfshirës dhe të rregullt të votimit”, shkroi ajo.

Komisionerja evropiane theksoi se hapi i radhës për Kosovën është ndërtimi i stabilitetit institucional përmes bashkëpunimit politik.

“Që Kosova të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së, forcat politike tani duhet të bashkohen dhe të gjejnë kompromise për të ndërtuar stabilitet institucional”, u shpreh Kos.

Ajo njoftoi gjithashtu se pret të vizitojë sërish Kosovë në të ardhmen e afërt për të vijuar angazhimin e Bashkimit Evropian në procesin e integrimit evropian të vendit.

“Pres me padurim të kthehem në Kosovë sa më shpejt të jetë e mundur për të përshpejtuar punën për integrimin e Kosovës në BE dhe për të vazhduar punën për financimin e Planit të Rritjes”, shtoi ajo.

Mesazhi i Marta Kos vjen pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ndërsa pritet që forcat politike të nisin negociatat për formimin e institucioneve të reja dhe avancimin e reformave në kuadër të procesit të integrimit evropian.




Comments are closed.