Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Përmes një mesazhi publik, Begaj përgëzoi gjithashtu qytetarët e Kosovës për pjekurinë e treguar gjatë procesit zgjedhor, të cilin e cilësoi të rregullt, të qetë dhe demokratik.
Sipas kreut të shtetit shqiptar, zgjedhjet dëshmuan edhe një herë forcën e institucioneve dhe kulturës demokratike të Kosovë.
“Në këtë fazë, është me rëndësi që të gjitha forcat politike të angazhohen me përgjegjësi dhe frymë konstruktive për të garantuar dialogun dhe kompromisin institucional, në funksion të stabilitetit, zhvillimit të mëtejshëm të vendit dhe përmbushjes së aspiratave të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Begaj.
Presidenti nënvizoi gjithashtu se Shqipëria do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës në proceset e saj integruese.
“Shqipëria do të vijojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj euroatlantik dhe europian,” thuhet në mesazhin e Presidentit Begaj.
Urimi i kreut të shtetit vjen pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, ku forcat politike pritet të nisin konsultimet për krijimin e institucioneve të reja të vendit.