×
Thursday, June 4, 2026

Hoxha në Kuvend: Shqipëria kryeson në rajon për zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së, përfitoi mbi 212 milionë euro fonde

June 4, 2026


Qeveria shqiptare e konsideron Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian dhe Agjendën Kombëtare të Reformave si instrumente kyçe për modernizimin e vendit dhe përshpejtimin e procesit të integrimit europian.

Kështu u shpreh ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë një interpelance në Kuvend, ku prezantoi ecurinë e zbatimit të reformave dhe përfitimet konkrete që Shqipëria ka siguruar nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Sipas Hoxhës, Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për performancën në zbatimin e Agjendës Kombëtare të Reformave, bazuar në vlerësimet e Komisionit Evropian.

“Rezultatet e Shqipërisë janë më të mirat në rajon. Ky nuk është vlerësimi ynë, por vlerësimi i Komisionit Evropian. Shqipëria kryeson në tre drejtime kryesore: cilësinë dhe koherencën e Agjendës Kombëtare të Reformave, numrin e masave të realizuara deri tani dhe nivelin e fondeve të disbursuara”, deklaroi ministri.

Ai theksoi se ky rezultat pasqyron seriozitetin institucional dhe aftësinë e administratës shqiptare për të menaxhuar instrumente komplekse financiare dhe reformuese të Bashkimit Evropian.

Ministri bëri të ditur se vetëm më 20 maj 2026, Komisioni Evropian miratoi disbursimin e 49 milionë eurove për Shqipërinë, si pjesë e kërkesës së tretë për pagesë në kuadër të Planit të Rritjes.

Sipas tij, fondet lidhen me progresin e arritur në zbatimin e reformave në fushën e konkurrueshmërisë së biznesit dhe inovacionit.

“Ky është një vlerësim pozitiv i Komisionit Evropian për hapat konkretë të ndërmarrë nga Shqipëria në kuadër të reformave të dakordësuara”, tha Hoxha.

Duke krahasuar ecurinë e vendeve të rajonit, ministri theksoi se Shqipëria ka realizuar deri tani 33 masa reformuese, kundrejt 32 të Malit të Zi dhe 22 të Maqedonisë së Veriut.

Ai shtoi se, pas disbursimit të fundit, Shqipëria ka përfituar në total 212.8 milionë euro nga ky instrument financiar europian, duke lënë pas Malin e Zi me 89.3 milionë euro dhe Maqedoninë e Veriut me 142.1 milionë euro.

“Po flasim për vende që përfshihen në të njëjtën paketë financiare dhe që ndjekin të njëjtën filozofi reformash. Shqipëria jo vetëm ka realizuar më shumë masa, por ka siguruar edhe nivelin më të lartë të financimit të deritanishëm”, u shpreh Hoxha.

Ministri nënvizoi se paketa e përgjithshme financiare e Planit të Rritjes për Shqipërinë arrin në 922 milionë euro për periudhën 2024–2027, fonde që do të mbështesin investimet, reformat strukturore dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas tij, zbatimi me sukses i Agjendës Kombëtare të Reformave jo vetëm që sjell mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian, por përgatit Shqipërinë për anëtarësimin e plotë në BE, duke afruar standardet e administrimit, ekonomisë dhe qeverisjes me ato europiane.

“Plani i Rritjes dhe Agjenda Kombëtare e Reformave nuk janë thjesht instrumente financiare. Ato janë mundësi reale për modernizimin e shtetit, forcimin e ekonomisë dhe përshpejtimin e rrugës së Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”, përfundoi Hoxha.




Comments are closed.