×
Thursday, June 4, 2026

Ibrahimaj në Kuvend: Marrëveshja me Poloninë garanton mbrojtje sociale për qytetarët që jetojnë dhe punojnë mes dy vendeve

June 4, 2026


Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Polonisë në fushën e sigurimeve shoqërore, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit të mbrojtjes sociale për qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.

Gjatë fjalës së saj në seancën plenare, Ibrahimaj theksoi se me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, Shqipëria arrin në 21 marrëveshje dypalëshe për sigurimet shoqërore, nga të cilat 10 janë me vende anëtare të Bashkimit Europian.

“Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje përbën një tjetër hap të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit të mbrojtjes sociale që Shqipëria po ndërton për qytetarët e saj. Këto marrëveshje janë ndër instrumentet më të rëndësishme të politikës sonë sociale dhe një garanci konkrete për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit”, deklaroi ministrja.

Sipas Ibrahimajt, marrëveshja krijon bazën ligjore dhe institucionale për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Polonisë, duke garantuar që vitet e punës dhe kontributet e paguara në secilin vend të njihen dhe të përkthehen në të drejta sociale të mbrojtura.

Ajo theksoi se dokumenti siguron vazhdimësinë e të drejtave sociale për qytetarët që lëvizin mes dy vendeve dhe përfshin një gamë të gjerë përfitimesh, si pensionet e pleqërisë, pensionet e invaliditetit dhe familjare, përfitimet për sëmundje dhe barrëlindje, kompensimet për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, pagesat e papunësisë si dhe mbështetjen financiare për familjarët në rast humbjeje të jetës së personit të siguruar.

Ministrja nënvizoi gjithashtu rëndësinë ekonomike dhe strategjike të marrëveshjes, duke evidentuar forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Polonisë në vitet e fundit.

Sipas të dhënave të paraqitura prej saj, gjatë vitit 2025 importet nga Polonia arritën në 216 milionë euro, me një rritje prej 9.9%, ndërsa eksportet shqiptare drejt këtij vendi u rritën me 6.3%, duke arritur në 26 milionë euro.

Po ashtu, stoku i investimeve direkte polake në Shqipëri arriti në 101 milionë euro gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, ndërsa vetëm në tre vitet e fundit janë punësuar në Shqipëri 260 shtetas polakë.

Ibrahimaj bëri të ditur se aktualisht në Shqipëri operojnë 137 kompani me kapital ose ortakë polakë. Nga këto, 116 janë kompani me kapital tërësisht të huaj dhe 21 janë sipërmarrje të përbashkëta shqiptaro-polake.

Këto kompani veprojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, përfshirë teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, tregtinë, shërbimet administrative, pasuritë e paluajtshme, aktivitetet profesionale dhe shkencore, turizmin, si dhe industrinë përpunuese.

Ministrja theksoi se marrëveshja ka rëndësi edhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, pasi mbështetet në rregulloret europiane që garantojnë lëvizjen e lirë të punonjësve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre sociale.

“Kjo marrëveshje është një investim në sigurinë sociale të qytetarëve tanë, në mbrojtjen e kontributit të tyre dhe në forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Polonisë. Ajo dëshmon se procesi i integrimit europian prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, duke sjellë më shumë të drejta, më shumë siguri dhe më shumë mundësi”, u shpreh Ibrahimaj.

Në përfundim të prezantimit të saj, ministrja u bëri thirrje deputetëve të mbështesin ratifikimin e marrëveshjes, duke e konsideruar atë një instrument të rëndësishëm për mbrojtjen sociale të qytetarëve shqiptarë dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.




Comments are closed.