Lamallari viziton policin e plagosur: Do të ketë hetim të plotë dhe përgjegjësi për ngjarjen tragjike
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, vizitoi sot në Spitalin Universitar të Traumës efektivin e Policisë së Shtetit, Edison Adri, i cili mbeti i plagosur gjatë ngjarjes së rëndë ku humbi jetën një punonjës policie.
Pas vizitës, Lamallari u shpreh se autoritetet po ndjekin me vëmendje maksimale gjendjen shëndetësore të efektivit të plagosur, ndërsa stafi mjekësor po bën çdo përpjekje për stabilizimin e tij.
Ministri bëri të ditur se ka kërkuar nisjen e menjëhershme të procedurave për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” për efektivin që humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës.
“Kam kërkuar nisjen e procedurave të menjëhershme për shpalljen ‘Dëshmor i Atdheut’. Kemi plot 232 tashmë, fatkeqësisht, efektivë policie të cilët janë martirë të Policisë së Shtetit. Nuk duhej ky rast. Është një fatkeqësi si për familjen, ashtu edhe për gjithë shtetin shqiptar”, deklaroi Lamallari.
Ai theksoi se paralelisht me hetimet për ngjarjen, është kërkuar edhe një analizë e plotë e veprimeve të ndërmarra nga strukturat policore dhe respektimit të protokolleve operacionale.
“Kam kërkuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit një vlerësim të plotë të situatës, respektimin e protokolleve dhe ndërmarrjen e çdo mase disiplinore apo ligjore që mund të rezultojë e nevojshme. Çdo përgjegjësi do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe askush nuk do të jetë mbi përgjegjësinë që i takon”, tha ministri.
Lamallari informoi se efektivi i plagosur ka pësuar dëmtime në zonën e nofullës dhe qafës, ndërsa mjekët po punojnë intensivisht për trajtimin e tij.
“Dëmtimet janë në nofull dhe në qafë. Mjekët po bëjnë maksimumin për të shpëtuar jetën e tij. Në situata të tilla çdo sekondë ka vlerë dhe stafi mjekësor duhet të ketë qetësinë dhe kushtet e nevojshme për të kryer punën e vet. Duhet durim dhe besim tek profesionalizmi i tyre”, u shpreh ai.
Ministri garantoi gjithashtu mbështetje të plotë për familjen e efektivit të plagosur dhe për familjen e punonjësit të policisë që humbi jetën.
Sipas tij, ngjarja kërkon jo vetëm solidaritet njerëzor, por edhe një hetim të thelluar për të përcaktuar çdo përgjegjësi të mundshme.
“Çfarëdo që të nxjerrë hetimi dhe kushdo që do të rezultojë përgjegjës, do të mbajë përgjegjësi. Për këtë ju siguroj. Në këtë moment prioritet mbetet mbështetja për familjen e efektivit të ndjerë dhe lutja që Edison Adri të arrijë ta fitojë këtë betejë për jetën”, deklaroi Lamallari.
Ministri bëri të ditur se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është nisur drejt Korçës për të ndjekur nga afër situatën, ndërsa edhe vetë ai do t’i bashkohet strukturave policore në terren pas përfundimit të vizitës në Spitalin e Traumës.
Lamallari e cilësoi ngjarjen si një tragjedi të rëndë për Policinë e Shtetit dhe apeloi që çdo drejtues policor të ushtrojë me përgjegjësi maksimale detyrën për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së efektivëve në terren.







