×
Thursday, June 4, 2026

Shqipëria dhe SACE diskutojnë mbështetjen e investimeve në mbrojtje, siguri dhe inovacion teknologjik

June 4, 2026


Në Tiranë u zhvillua një takim mes ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe Presidentit të Agjencisë Shtetërore Italiane për Kreditimin e Eksporteve (SACE), Guglielmo Picchi, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit për mbështetjen e projekteve strategjike në Shqipëri.

Gjatë takimit, vëmendja u përqendrua te projektet që lidhen me modernizimin e sektorit të mbrojtjes, inovacionin teknologjik dhe forcimin e kapaciteteve të sigurisë, si dhe te instrumentet financiare dhe garantuese që mund të lehtësojnë realizimin e investimeve me interes të përbashkët.

Palët diskutuan mbi mundësitë që ofron SACE për mbështetjen e projekteve zhvillimore dhe investimeve që synojnë rritjen e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e infrastrukturës dhe avancimin teknologjik në sektorë strategjikë.

Gjatë bisedimeve u theksua rëndësia e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet financiare që kontribuojnë në forcimin e sigurisë kombëtare dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Ministri Nufi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Italisë, duke nënvizuar se bashkëpunimi me partnerët strategjikë mbetet një element kyç për modernizimin e sektorit të mbrojtjes dhe përballimin e sfidave të reja të sigurisë.

Takimi u konsiderua një hap i rëndësishëm në zgjerimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SACE, duke krijuar mundësi të reja për financimin dhe mbështetjen e projekteve me ndikim në zhvillimin ekonomik, sigurinë dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të vendit.




Comments are closed.