×
Wednesday, June 10, 2026

PS Tiranë nderon figurat historike në 35-vjetorin e themelimit, medalje ari për Meidanin, Doklen, Bufin dhe personalitete të tjera

June 3, 2026


Partia Socialiste e Tiranës festoi dje 35-vjetorin e themelimit të saj në një ceremoni të veçantë të organizuar në Pallatin e Kongreseve, ku u mblodhën themelues, ish-drejtues, deputetë, ministra, anëtarë dhe mbështetës të kësaj force politike për të kujtuar rrugëtimin e saj ndër vite dhe për të nderuar figurat që kanë kontribuar në ndërtimin dhe konsolidimin e saj.

Aktiviteti u shndërrua në një homazh për personalitetet që kanë luajtur rol të rëndësishëm në historinë e Partisë Socialiste që nga themelimi i saj në vitin 1991, ndërsa një numër figurash të njohura u vlerësuan me medalje ari për kontributin e tyre politik, institucional dhe publik.

Mes të nderuarve ishte ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, i cili u vlerësua për rolin e tij në forcimin e institucioneve demokratike dhe përfaqësimin e Shqipërisë gjatë një periudhe të rëndësishme të tranzicionit. Duke marrë vlerësimin, Meidani shprehu dëshirën që Shqipëria të vazhdojë rrugën e saj drejt modeleve më të zhvilluara europiane.

“Uroj që Partia Socialiste ta çojë Shqipërinë në modelet që kemi në vendet nordike, që edhe senatori i famshëm amerikan Bernie Sanders kërkon t’i zhvillojë në Amerikë, dhe ne i dëshirojmë në Shqipëri”, tha ai.

Me medalje ari u vlerësua edhe Ethem Ruka, ish-deputet në pesë legjislatura dhe ish-ministër, një prej figurave që kontribuoi në themelimin e Partisë Socialiste dhe në zhvillimin e saj gjatë viteve të para të demokracisë.

“Shumë faleminderit socialistëve të Tiranës që vlerësojnë figura të guximshme në vitet e vështira dhe ngritën këtë forcë politike progresiste që solli Shqipërinë këtu ku është sot”, u shpreh Ruka.

Një tjetër moment i rëndësishëm i ceremonisë ishte vlerësimi i Namik Dokles, kryetarit të parë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, i cili kujtoi periudhën e themelimit të partisë dhe sfidat e para të saj.

“Më duket një mbrëmje e mrekullueshme e socialistëve të gjithë Shqipërisë. Tridhjetë e pesë vite më parë në këtë sallë u themelua Partia Socialiste me një mision të qartë dhe me një ëndërr të madhe. Ne nuk kishim shkollë politike, por kishim idealizëm”, tha Dokle, duke theksuar se progresi dhe solidariteti mbeten vlerat themelore të kësaj force politike.

Në ceremoni u nderua gjithashtu ish-kryeministri Ylli Bufi, i cili u vlerësua për rolin e tij në periudhën e tranzicionit dhe për kontributin në stabilizimin institucional dhe proceset e para të reformave ekonomike në Shqipëri.

“Shqiptarët e votuan Partinë Socialiste që në momentin kur dalluan se mund të ishte një alternativë qeverisëse e progresit të popullit, alternativë që e futi Shqipërinë në rrugën e zhvillimit të shpejtë dhe po e kurorëzon me objektivin historik, futjen në familjen europiane”, u shpreh Bufi.

Medalje ari iu akordua edhe Valentina Leskajt, deputete për katër legjislatura dhe ish-kryetare e grupit parlamentar të PS-së, për kontributin e saj në jetën politike dhe përfaqësimin e grave në politikë.

“Partia Socialiste është sot forca më e madhe dhe më e fuqishme në Shqipëri, falë punës së socialistëve, por edhe falë shqiptarëve që kanë kontribuar me votën e tyre”, tha Leskaj.

Ndër figurat e nderuara ishte edhe Besnik Baraj, i cili drejtoi për vite me radhë Partinë Socialiste në Tiranë dhe shërbeu si deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

“Është dashur shumë punë dhe mund që të realizohet ky realitet shqiptar i sotëm, që ka ardhur falë punës së pandalur të Partisë Socialiste dhe lidershipit të saj”, u shpreh Baraj.

Vlerësime të veçanta morën gjithashtu Hamdi Jupe, një nga themeluesit e partisë dhe figurë e njohur e medias; Anastas Angjeli, për kontributin në zhvillimin ekonomik dhe politikat financiare të vendit; Maqo Lakrori, për angazhimin në fushën e arsimit të lartë; Halil Lalaj, kryetari i parë i PS-së në Tiranë; Musa Ulqini, deputet për shtatë legjislatura; Luan Shaullari, ish-drejtues i PS-së në Tiranë; si dhe Sajmira Pino për kontributin e saj në organizimin dhe fuqizimin e grave socialiste.

Gjatë aktivitetit u kujtuan momentet më të rëndësishme të historisë së Partisë Socialiste, nga themelimi i saj në vitin 1991, sfidat e tranzicionit demokratik, periudhat në opozitë dhe në qeverisje, deri te objektivi aktual për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ceremonia u shoqërua me mesazhe mirënjohjeje për brezat e socialistëve që kanë kontribuar ndër vite, ndërsa drejtuesit e partisë theksuan se 35-vjetori përfaqëson jo vetëm një moment reflektimi mbi të shkuarën, por edhe një pikënisje për sfidat dhe objektivat e së ardhmes.

Në përfundim të aktivitetit, të pranishmit vlerësuan rolin e Partisë Socialiste në proceset demokratike, reformat shtetformuese dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke e cilësuar 35-vjetorin si një moment të rëndësishëm në historinë politike të vendit.




Comments are closed.