Salla në Ditën Botërore të Qumështit: Blegtorët janë garanci për sigurinë ushqimore
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vlerësoi punën e blegtorëve shqiptarë me rastin e Ditës Botërore të Qumështit, duke e cilësuar sektorin e qumështit si një nga shtyllat kryesore të ushqimit dhe sigurisë ushqimore në vend.
“Në Ditën Botërore të Qumështit, vlerësojmë punën e blegtorëve shqiptarë që çdo ditë kontribuojnë në prodhimin e një prej produkteve më të rëndësishme për ushqimin dhe sigurinë ushqimore të vendit”, u shpreh ministri Salla.
Sektori i blegtorisë mbetet një nga degët më të rëndësishme të ekonomisë rurale shqiptare, me një rrjet të gjerë fermash dhe fabrikash përpunimi. Zonat me potencialin më të madh të prodhimit të qumështit shtrihen kryesisht në qarqet e Korçës, Fierit, Shkodrës, Elbasanit dhe Dibrës.
Salla theksoi se qeveria ka mbështetur vazhdimisht zhvillimin e blegtorisë përmes skemave të subvencioneve dhe fondeve të dedikuara, me synim rritjen e prodhimit vendas, përmirësimin e cilësisë së produkteve dhe fuqizimin e fermave shqiptare.
Sipas tij, mbështetja për blegtorinë dhe industrinë e qumështit mbetet një prioritet i politikave bujqësore, si pjesë e angazhimit për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe garantimin e produkteve cilësore vendase për konsumatorët.







