×
Monday, June 1, 2026

Rama për Zvërnecin: Do të revoltohesha njësoj, tërheqja zvarrë e protestuesit ishte e neveritshme

June 1, 2026


Kryeministri Edi Rama reagoi sot për situatën e krijuar rreth projektit në Zvërnec, duke e cilësuar të papranueshëm dhe të neveritshëm aktin e dhunës ndaj një protestuesi gjatë tubimit të zhvilluar në zonë.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se i kupton reagimet e qytetarëve që u revoltuar pas publikimit të pamjeve të incidentit dhe shtoi se, nëse do të ishte në vendin e tyre, do të kishte reaguar në të njëjtën mënyrë.

“Ju kam dëgjuar, ju kam lexuar dhe ju kuptoj shumë mirë. Madje ju siguroj se në vendin tuaj edhe unë do të revoltohesha dhe do të rreshtohesha kundër qeverisë dhe kundër kryeministrit”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë e konsideroi të papranueshme sjelljen e rojeve private të sigurisë, të cilat, sipas tij, tërhoqën me forcë një protestues para syve të Policisë së Shtetit.

“Është e tmerrshme që disa roje private sigurie të ulërinin si kafshë dhe të merrnin nga jashtë brenda një njeri në të drejtën e vet, ta tërhiqnin zvarrë nëpër plazhin e rrethuar. Ndërkohë policia duhet t’i kishte arrestuar menjëherë ata që ushtruan dhunën”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se mirëkupton zemërimin e qytetarëve, sidomos për shkak të informacionit që, sipas tij, është shpërndarë rreth projektit.

Rama mohoi pretendimet se shteti po fal toka publike apo se projekti lidhet me skenarë të ndryshëm të përfolur ditët e fundit.

“Do të kisha reaguar edhe më fort po të më thoshin se ajo tokë është e shtetit dhe po u falet të huajve, apo se aty do të ndërtohen pallate nga rusë dhe oligarkë shqiptarë. Është përhapur edhe legjenda se zona po i jepet Izraelit për të sjellë palestinezë në Zvërnec”, tha ai.

Sipas kryeministrit, shumë nga pretendimet që qarkullojnë për projektin nuk qëndrojnë dhe debati duhet të bazohet te faktet, jo te informacionet e pavërteta.




Comments are closed.