Kombëtarja nis përgatitjet për Izraelin dhe Luksemburgun, Uzuni: Synojmë vendin e parë në Nations League
Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut, ndërsa sulmuesi Myrto Uzuni dhe mesfushori Juljan Shehu dolën në konferencë për mediat nga stadiumi “Air Albania”, ku folën për objektivat e skuadrës dhe fillimin e një cikli të ri nën drejtimin e trajnerit Rolando Maran.
Uzuni vlerësoi qasjen e stafit të ri teknik, duke theksuar se filozofia më ofensive e trajnerit mund të ndikojë pozitivisht në lojën e Kombëtares.
“Është staf i ri dhe sistemi është më ndryshe. Me trajnerin e ri mund të luajmë më ofensiv. Siç ka ndodhur edhe më parë, kur kemi pasur trajnerë ofensivë, kemi shënuar më shumë gola”, u shpreh sulmuesi kuqezi.
Duke folur për objektivat e ekipit, Uzuni theksoi se Kombëtarja synon të mbyllë me sukses edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve dhe të sigurojë një vend në Kampionatin Europian 2028.
“Kur luan për ekipin Kombëtar gjithmonë ke objektiva. Duam të dalim të parët në Nations League dhe të kualifikohemi për në Europian. Këto janë qëllimet që na shtyjnë përpara. Nëse një lojtar nuk e ka urinë dhe dëshirën për të luajtur në Europian dhe për të fituar, atëherë nuk është i mirëpritur në ekipin Kombëtar”, deklaroi Uzuni.
Ai u ndal edhe te ardhja e trajnerit të ri, duke nënvizuar konkurrencën e fortë që ekziston në skuadër.
“Të gjithë kanë kualitet dhe mund të luajnë titullarë. Janë lojtarët më të mirë të Shqipërisë dhe secili do të mundohet të tregojë veten në këtë cikël të ri”, tha ai.
Ndërkohë, Juljan Shehu u shpreh se është ende herët për të përcaktuar rolin e tij në skemat e trajnerit Maran, por garantoi se do të japë maksimumin në çdo pozicion ku do të aktivizohet.
“Çdo trajner ka idetë e veta për pozicionimin e lojtarëve. Nuk e di ende nëse do të luaj më përpara apo në të njëjtin pozicion, por unë do të vazhdoj të jap maksimumin për Kombëtaren dhe të kontribuoj sa më shumë për ekipin”, tha Shehu.
Mesfushori kuqezi vlerësoi rëndësinë e dy ndeshjeve miqësore të qershorit, duke i konsideruar ato si një test të vlefshëm për përgatitjet për sfidat e Nations League në shtator.
“Shpresoj që këto dy ndeshje të jenë shumë të rëndësishme për ne në aspektin e vazhdimësisë që do të kemi në Ligën e Kombeve. Duhet të bëjmë maksimumin për të krijuar identitetin tonë me trajnerin e ri”, u shpreh ai.
Shehu theksoi gjithashtu se ardhja e lojtarëve të rinj rrit nivelin e konkurrencës brenda grupit dhe ndihmon ekipin të përmirësohet.
“Çdo lojtar që vjen në Kombëtare e meriton të jetë këtu. Çdo vend është i hapur për të gjithë dhe do të luajë ai që e meriton më shumë. Konkurrenca i bën mirë ekipit”, përfundoi mesfushori kuqezi.
Kombëtarja shqiptare do të përdorë miqësoret ndaj Izraelit dhe Luksemburgut për të testuar idetë e reja të stafit teknik dhe për të ndërtuar bazat e skuadrës që do të synojë suksesin në Nations League dhe kualifikimin në Euro 2028.







