×
Monday, June 1, 2026

Hoxha në Prishtinë: Siguria e Kosovës është interes kombëtar për Shqipërinë

June 1, 2026


Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka vlerësuar rolin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë gjatë një takimi të zhvilluar në Prishtinë me komandantin e misionit, gjeneral major Özkan Ulutaş.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Hoxha theksoi se KFOR-i ka luajtur një rol vendimtar në përballimin e sfidave të sigurisë, veçanërisht në veri të Kosovës, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit dhe krijimin e kushteve për dialog dhe paqe afatgjatë.

Kryediplomati shqiptar nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar në mbështetje të misionit të NATO-s në Kosovë, ku kontribuon me kontingjentin e saj ushtarak.

“Shqipëria vlerëson lart rolin jetik që KFOR-i vazhdon të luajë në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. Ne përgëzojmë të gjitha vendet kontribuese me trupa për angazhimin e tyre të palëkundur dhe profesionalizmin”, u shpreh Hoxha.

Ai theksoi se një Kosovë e sigurt, e qëndrueshme dhe demokratike kontribuon drejtpërdrejt në stabilitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe se siguria e Kosovës lidhet ngushtë me interesat kombëtare dhe rajonale të Shqipërisë.

“Siguria e Kosovës është e pandashme nga interesat kombëtare dhe rajonale të sigurisë së Shqipërisë. Stabiliteti në Kosovë do të thotë stabilitet në rajon”, deklaroi ministri.

Hoxha rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për aspiratat euroatlantike të Kosovës dhe për forcimin e institucioneve të saj të sigurisë në bashkëpunim me NATO-n dhe partnerët ndërkombëtarë.

Sipas tij, ndonëse prania e KFOR-it mbetet thelbësore, siguria afatgjatë e Kosovës do të varet gjithnjë e më shumë nga kapacitetet dhe profesionalizmi i institucioneve vendase, të cilat duhet të vijojnë të forcohen përmes bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë.




Comments are closed.