×
Monday, June 1, 2026

Shqipëria bashkohet me projektin EU4IP të BE-së

June 1, 2026


Shqipëria është përfshirë në projektin “EU4IP – Ballkani Perëndimor”, një nismë e re e Bashkimit Evropian që synon forcimin e sistemeve të pronësisë intelektuale në vendet e rajonit dhe përafrimin e tyre me standardet europiane.

Programi u lançua zyrtarisht në bashkëpunim me Zyrën e Pronësisë Intelektuale të Bashkimit Evropian (EUIPO) dhe përfshin Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Moldavinë.

Nisma synon të mbështesë vendet pjesëmarrëse në harmonizimin e legjislacionit, institucioneve dhe praktikave të tyre me acquis communautaire në fushën e pronësisë intelektuale, duke krijuar kushte më të favorshme për inovacionin, investimet dhe zhvillimin ekonomik.

Projekti vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, ndërsa vendi vijon procesin e integrimit europian dhe përpjekjet për forcimin e mbrojtjes së markave tregtare, patentave, dizajneve industriale dhe të drejtave të autorit.

Drejtoresha e Përgjithshme e Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI), Maria Solis Kapedani, e cilësoi projektin si një mundësi të rëndësishme për modernizimin e sistemit shqiptar të pronësisë intelektuale.

“Mirëpresim projektin EU4IP-WB si një hap të rëndësishëm për forcimin e ekosistemit të pronësisë intelektuale në Shqipëri dhe në të gjithë rajonin. Një sistem modern dhe efikas i mbrojtjes së pronësisë intelektuale është thelbësor për zhvillimin e inovacionit, rritjen e konkurrueshmërisë së bizneseve dhe afrimin e vendit me standardet europiane”, u shpreh Kapedani.

Përmes projektit, institucionet shqiptare do të përfitojnë asistencë teknike, shkëmbim ekspertize dhe mbështetje për përmirësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe institucional.

Sipas Bashkimit Evropian, sistemet e forta të pronësisë intelektuale luajnë një rol kyç në mbrojtjen e krijimtarisë, shpikjeve dhe markave, duke nxitur investimet, inovacionin dhe zhvillimin e sipërmarrjes.

Drejtori Ekzekutiv i EUIPO-s, João Negrão, theksoi se një sistem i fortë i pronësisë intelektuale është baza për një ekonomi më konkurruese dhe një shoqëri më inovative.

Projekti “EU4IP – Ballkani Perëndimor” konsiderohet gjithashtu një instrument i rëndësishëm në mbështetje të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke ndihmuar vendet partnere të afrohen me tregun e përbashkët europian dhe standardet e tij.

Për Shqipërinë, nisma pritet të kontribuojë në përmirësimin e klimës së biznesit, mbrojtjen e investitorëve, promovimin e inovacionit dhe rritjen e besimit të kompanive që operojnë në treg.




Comments are closed.