×
Monday, June 1, 2026

Rama: Leja në Zvërnec është vetëm për studime mjedisore, po përhapet dezinformim për projektin

June 1, 2026


Kryeministri Edi Rama deklaroi se debati i krijuar rreth projektit në Zvërnec është shoqëruar me dezinformim dhe manipulim, ndërsa sqaroi se leja e dhënë deri tani nuk lidhet me ndërtimin e projektit, por vetëm me realizimin e studimeve mjedisore në zonë.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama bëri të ditur se Këshilli Kombëtar i Territorit ka kërkuar ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional për të garantuar respektimin e kritereve dhe kushteve të zhvillimit brenda zonës së mbrojtur.

“Këshilli Kombëtar i Territorit ka kërkuar ngritjen e një grupi pune ndërinstitucional për të siguruar zbatimin e kushteve dhe kritereve të zhvillimit brenda zonës së mbrojtur. Leja e infrastrukturës në prill 2026 është dhënë për realizimin e rrugëkalimeve të nevojshme për vendosjen e pajisjeve të përkohshme që do të përdoren për studimin e biodiversitetit të ujit dhe lagunës”, tha Rama.

Sipas tij, këto rrugëkalime janë të domosdoshme për instalimin e pajisjeve që do të kryejnë monitorimin dhe studimin e biodiversitetit, ndërsa paralelisht me hartimin e projektit po punon edhe një studio ndërkombëtare e specializuar për çështjet mjedisore.

“Ka nevojë për rrugëkalime për të vendosur pajisje që do të bëjnë studimin e biodiversitetit të ujit dhe lagunës, sepse paralelisht me arkitektët punon një studio prestigjioze e mjedisit. Për këtë arsye u dha leja, u bë rrethimi dhe makineritë u morën me gurë, pa kuptuar çfarë po ndodh dhe për çfarë po bëhet”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi gjithashtu se sipas dokumentacionit zyrtar, të gjitha pasuritë që përfshihen në zhvillimin e projektit janë prona private.

“Pasuritë objekt zhvillimi janë prona private sipas dokumentacionit. Pasuritë objekt zhvillimi përfshijnë vetëm prona private. Të gjitha rezultojnë në pronësi të Albania Land Development, ndërsa struktura e pronësisë së shoqërisë ka ortak të vetëm shoqërinë Sazan Holding”, deklaroi ai.

Kreu i qeverisë reagoi edhe ndaj pretendimeve që lidhin projektin me investitorë izraelitë apo me çështjen e Gazës, duke i cilësuar këto si spekulime dhe përpjekje për të nxitur urrejtje.

“Tani edhe një herë, një çmenduri totale ajo futja e urrejtjes për hebrenjtë dhe shfrytëzimi i dhimbjes së Gazës nga ata që i thonë vetes myslimanë, por janë pa din dhe iman. Duke iu thënë shqiptarëve se po vijnë izraelitët të marrin tokën”, tha Rama.

Ai sqaroi se investitorët e përfshirë në projekt janë pjesë e një grupi të madh ekonomik nga Katari.

“Ju thashë që aty janë ata që dinë dhe janë dy bashkëpronarët e kompanisë ‘Power Holding’ nga Katari, një nga fuqitë më të mëdha të Lindjes së Mesme, një holding që zotëron kompani në fusha të ndryshme dhe që portofolin e turizmit e kanë ndër më të shkëlqyerit në botë. Futuni e klikoni powerholding.com dhe do të shikoni se kush po vjen në Shqipëri të shkatërrojë mjedisin, të vrasë pelikanët dhe të sjellë palestinezë”, deklaroi Rama.




Comments are closed.