Rama: Protesta është e drejtë, por projekti i Zvërnecit po sulmohet nga interesa që nuk duan zhvillimin e Shqipërisë
Kryeministri Edi Rama deklaroi se e drejta për të protestuar është e pacenueshme, por sipas tij, sulmet ndaj projektit në zonën e Zvërnecit vijnë si nga forca të brendshme politike, ashtu edhe nga interesa të jashtme që nuk e duan Shqipërinë në një nivel të ri zhvillimi ekonomik dhe turistik.
Duke folur për projektin, Rama theksoi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi dhe se investime të tilla strategjike e pozicionojnë vendin në një nivel më të lartë në turizëm dhe ekonomi.
“E drejta për të protestuar nuk mund të vihet në diskutim, por sulmet politike mbi projektin, si nga forca të brendshme që predikojnë urrejtje apo kërkojnë kthimin në komunizëm, ashtu edhe nga forca të jashtme që nuk e duan këtë projekt, janë pjesë e një konkurrence të thjeshtë politike. Ne kemi hyrë në një territor shumë të ndryshëm nga ai që kemi qenë, pasi ky projekt e ngre vendin në një nivel tjetër me realizimin e tij”, tha Rama.
Kryeministri pranoi se incidenti i ndodhur gjatë protestës ishte i papranueshëm dhe vlerësoi si të gabuar si sjelljen e kompanisë private të sigurisë, ashtu edhe reagimin e Policisë së Vlorës.
“Natyrisht, sjellja e kompanisë së sigurisë ishte e neveritshme, dhe po aq e papranueshme ishte edhe sjellja e Policisë së Vlorës. Për këtë ka pasur reagim të menjëhershëm nga lidershipi i Policisë së Shtetit, me shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës dhe vendosjen nën hetim të gjithë zinxhirit përgjegjës”, u shpreh ai.
Rama theksoi se janë marrë masa konkrete pas ngjarjes, përfshirë heqjen e licencës së kompanisë private të sigurisë dhe arrestimin e personit që ushtroi dhunë ndaj protestuesit.
“Po ashtu janë marrë masa për heqjen e licencës së kompanisë private të sigurisë dhe arrestimin e personit që ushtronte dhunë ndaj protestuesit. Nuk di çfarë mund të bëjë më shumë shteti. Nuk ka asnjë relativizim të dhunës; përkundrazi, ka pasur reagim të menjëhershëm, duke shkarkuar ata që nuk ndaluan dhunën”, deklaroi kryeministri.
Sipas Ramës, projekti në Zvërnec përfaqëson një investim strategjik me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit, duke synuar ta bëjë Shqipërinë më konkurruese në tregun ndërkombëtar.







