Nufi në NATO: Shqipëria vlerësohet për kontributin në sigurinë kolektive, në fokus edhe Samiti i Tiranës 2027
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi një seri takimesh në selitë e NATO-s në Belgjikë, ku u diskutuan sfidat aktuale të sigurisë, kontributi i Shqipërisë në mbrojtjen kolektive dhe përgatitjet për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Tiranë në vitin 2027.
Gjatë vizitës në Mons, Nufi u takua me Komandantin Suprem të Forcave Aleate në Evropë, Alexus G. Grynkewich. Në takim u vlerësua roli aktiv i Shqipërisë në sigurinë euro-atlantike dhe kontributi i saj në misionet dhe operacionet e Aleancës.
Palët diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet e fundit në mjedisin strategjik të sigurisë, si dhe mbi projektet infrastrukturore që po zhvillon Shqipëria për të mbështetur kapacitetet e NATO-s. Në këtë kuadër u veçuan investimet në Bazën Detare të Porto Romanos dhe zhvillimi i Korridorit VIII, projekte që synojnë forcimin e mobilitetit ushtarak, ndërveprueshmërisë dhe gatishmërisë operacionale të Aleancës.
Në një tjetër takim në Bruksel, ministri Nufi u prit nga Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska. Bisedimet u fokusuan te sfidat aktuale të sigurisë, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë dhe roli në rritje i vendit brenda NATO-s.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua organizimit të Samitit të NATO-s në Tiranë në vitin 2027, i cili konsiderohet një moment historik për Shqipërinë dhe një mundësi për të theksuar kontributin e saj në sigurinë euro-atlantike.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, mbështetja e aleatëve mbetet thelbësore për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit, ndërsa Shqipëria do të vijojë të kontribuojë aktivisht në misionet dhe iniciativat e NATO-s, duke u konsoliduar si një faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon.







