×
Friday, May 29, 2026

Tomini sqaron debatin për udhëzuesin e terapisë hormonale

May 29, 2026


Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, ka sqaruar se udhëzuesi mbi trajtimin hormonal është një dokument orientues klinik dhe jo një protokoll përfundimtar terapeutik.

Në një reagim publik, Tomini theksoi se dokumenti është hartuar mbi bazën e rekomandimeve dhe praktikave ndërkombëtare, si edhe pas konsultimit me një ekip multidisiplinar specialistësh të fushës.

Sipas saj, qëllimi i udhëzuesit është të orientojë profesionistët e shëndetësisë në procesin e vlerësimit dhe rekomandimit të terapisë hormonale për personat që referohen për këtë shërbim.

Zv.ministrja nënvizoi se dokumenti nuk rekomandon nisjen e trajtimit hormonal në fëmijëri dhe se i referohet vetëm individëve të rritur, në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe mbi bazën e pëlqimit të informuar të pacientit.

Tomini sqaroi gjithashtu se udhëzuesi nuk përfshin asnjë dispozitë që lidhet me rimbursimin e medikamenteve hormonale.

“Dokumenti nuk trajton dhe nuk përcakton skema rimbursimi për terapitë hormonale. Ai përmban vetëm rekomandime të përgjithshme dhe tipe të ndryshme të trajtimeve hormonale, të bazuara në praktikat klinike ndërkombëtare”, bëri të ditur ajo.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, udhëzuesi synon të shërbejë si një instrument profesional për personelin mjekësor, duke ofruar orientim klinik në përputhje me standardet bashkëkohore të kujdesit shëndetësor.




Comments are closed.