Peleshi pret përfaqësues të Komisionit të Venecias për reformën në financimin e partive politike
Kryetari i Kuvendit, priti sot në takim përfaqësues të Komisionit të Venecias, në kuadër të procesit të përgatitjes së opinionit mbi projektligjin për financimin e partive politike, si pjesë e reformës zgjedhore.
Gjatë takimit, Peleshi vlerësoi rolin e Komisionit të Venecias si një partner të rëndësishëm të institucioneve shqiptare, duke theksuar bashkëpunimin e vazhdueshëm në proceset reformuese dhe në përafrimin e legjislacionit me standardet ndërkombëtare.
Ai u shpreh se Shqipëria ka treguar deri tani një qasje pozitive në zbatimin e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, duke e konsideruar këtë si një element të rëndësishëm në forcimin e institucioneve demokratike.
Sipas Peleshit, projektligji synon të garantojë transparencë të plotë në financimin politik, integritet të procesit zgjedhor, barazi në garën elektorale dhe forcim të mekanizmave të kontrollit financiar. Ai theksoi se nisma mbështetet në parimet e proporcionalitetit, mosdiskriminimit dhe sigurisë juridike.
Kryetari i Kuvendit nënvizoi gjithashtu rëndësinë e konsensusit të gjerë politik në miratimin e ligjit, duke shtuar se synimi është që ndryshimet të mbështeten si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita, në funksion të forcimit të standardeve demokratike në vend.







