Konferenca Ndërqeveritare në Bruksel, Shqipëria drejt një tjetër hapi në procesin e anëtarësimit në BE
Ka nisur në Bruksel Konferenca Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, një moment kyç në rrugën e integrimit evropian të vendit.
Në mbërritje në selinë e BE-së, Kryeministri Edi Rama theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të Shqipërisë ndaj politikave të unionit.
“Shqipëria është një vend që gjithmonë ka qenë 100 % në përputhje me politikën e jashtme të BE. Nuk kemi ndjerë ndonjëherë kënaqësi të kemi veto, kemi qenë vendi më pro BE, jemi fanatikë të BE”, u shpreh Rama.
Takimi pritet të shërbejë për të konfirmuar përmbushjen e standardeve të ndërmjetme nga Shqipëria, si dhe për të vendosur standardet përmbyllëse për Grupin 1 “Bazat”, një nga kapitujt më të rëndësishëm të negociatave.
Ky grup përfshin fusha kyçe si:
- Kapitulli 23: Gjyqësori dhe të drejtat themelore
- Kapitulli 24: Drejtësia, liria dhe siguria
- Funksionimi i institucioneve demokratike
- Reforma në administratën publike
- Kriteret ekonomike
Gjithashtu, në këtë paketë përfshihen edhe Kapitulli 5 (prokurimi publik), Kapitulli 18 (statistikat) dhe Kapitulli 32 (kontrolli financiar), të cilat konsiderohen thelbësore për standardet e BE-së.
Para nisjes zyrtare të konferencës, delegacionet zhvilluan një foto familjare, ndërsa diskutimet pritet të fokusohen në progresin e Shqipërisë dhe hapat e mëtejshëm të procesit të anëtarësimit.
Axhenda e takimit:
- 18:50 – Mbërritja e delegacionit shqiptar në selinë e BE-së
- 18:55 – Foto familjare
- 19:00 – Nisja e Konferencës Ndërqeveritare
- Rreth 20:15 – Konferencë për shtyp në përfundim të takimit
Kjo konferencë shihet si një tjetër moment i rëndësishëm për avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.







