Shqipëria dhe Bashkimi Evropian zhvillojnë Konferencën e 8-të Ndërqeveritare në Bruksel
Shqipëria dhe Bashkimi Evropian do të mbajnë nesër në Bruksel Konferencën e 8-të Ndërqeveritare, në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësim. Ky takim konsiderohet një moment kyç në fazën aktuale të negociatave, pasi pritet të konfirmojë përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e kushteve të ndërmjetme dhe të përcaktojë hapat e mëtejshëm për Grupkapitullin 1, të njohur si “Themeloret”.
Konferenca do të zhvillohet në margjinat e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së dhe do të drejtohet nga Marilena Raouna, në cilësinë e përfaqësueses së presidencës së radhës. Delegacioni shqiptar do të kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa nga ana e Bashkimit Evropian do të marrë pjesë edhe Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos.
Sipas agjendës së publikuar nga institucionet evropiane, fokusi i këtij takimi do të jetë në verifikimin e përmbushjes së piketave të ndërmjetme nga Shqipëria për Grupkapitullin 1, si dhe në përcaktimin e piketave përmbyllëse për këtë grupkapitull, i cili mbetet themelor për ecurinë e përgjithshme të negociatave.
Grupkapitulli “Themeloret” përfshin një sërë kapitujsh kyç, që lidhen drejtpërdrejt me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike. Ndër to bëjnë pjesë Kapitulli 23 (Gjyqësori dhe të drejtat themelore) dhe Kapitulli 24 (Drejtësia, liria dhe siguria), si dhe fusha të tjera si funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike, kriteret ekonomike të anëtarësimit, prokurimi publik (Kapitulli 5), statistikat (Kapitulli 18) dhe kontrolli financiar (Kapitulli 32).
Ky grupkapitull konsiderohet vendimtar në metodologjinë e re të zgjerimit të Bashkimit Evropian, pasi progresi në këto fusha përcakton ritmin e përgjithshëm të negociatave dhe avancimin e vendeve kandidate drejt anëtarësimit.
Konferenca e 8-të zhvillohet pas një serie takimesh ndërqeveritare që kanë çuar në hapjen e të gjithë grupkapitujve negociues, përfshirë “Themeloret”, “Tregun e Brendshëm”, “Konkurrueshmërinë dhe rritjen gjithëpërfshirëse”, “Agjendën e gjelbër dhe ndërlidhjen e qëndrueshme”, “Burimet, bujqësinë dhe kohezionin” dhe “Marrëdhëniet e Jashtme”.
Takimi pritet të nisë rreth orës 19:00 në Bruksel, ndërsa në përfundim të tij do të mbahet një konferencë për shtyp, ku pritet të bëhen publike konkluzionet dhe hapat e mëtejshëm të procesit negociues.







