×
Tuesday, May 19, 2026

G7 mblidhet në Paris, fokus te lufta me Iranin dhe ekonomia globale

May 18, 2026


G7 do të zhvillojë nga sot në Paris një takim dyditor të ministrave të Financave, ku në qendër të diskutimeve do të jenë pasojat ekonomike të luftës me Iranin dhe bllokada e Ngushticës së Hormuzit.

Takimi, që do të zgjasë deri nesër, do të trajtojë gjithashtu çështje të rëndësishme si çekuilibrat në tregtinë globale, furnizimin me lëndë të para kritike, financimin për vendet në zhvillim, si dhe luftën kundër financimit të terrorizmit dhe krimit të organizuar. Në agjendë përfshihet edhe mbështetja për Ukrainën.

G7 është një aleancë informale e vendeve më të industrializuara në botë, ku bëjnë pjesë Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia, Japonia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtë vit, presidencën e mban Franca.

Në këtë takim pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues të bankave qendrore të vendeve anëtare, si dhe ministrat e Financave nga Brazili, India, Koreja e Jugut dhe Kenia.

Lars Klingbeil do të përfaqësojë Gjermaninë në këtë mbledhje. Para nisjes drejt Parisit, ai paralajmëroi për pasojat e rënda ekonomike të konfliktit me Iranin dhe mundësinë e një mbylljeje afatgjatë të Ngushticës së Hormuzit, duke e cilësuar atë një kërcënim serioz për ekonominë globale.

“Lufta po shkakton dëme të mëdha në zhvillimin ekonomik”, u shpreh ai, duke bërë thirrje për përpjekje të përbashkëta për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të garantuar stabilitetin në rajon.




Comments are closed.