×
Monday, May 11, 2026

Malaj: Auditimi i brendshëm, shtyllë kyçe për transparencën dhe integrimin evropian

May 11, 2026


Ministri i Financave, Petrit Malaj, mori pjesë në konferencën “Fuqizimi i Auditit të Brendshëm”, organizuar nga Instituti i Audituesve të Brendshëm (IIA Albania), ku ishin të pranishëm edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, si dhe presidenti i IIA Global, Anthony Pugliese.

Gjatë fjalës së tij, Malaj theksoi se auditimi i brendshëm përbën një nga shtyllat kryesore të mirëqeverisjes, transparencës dhe integritetit financiar, duke e cilësuar atë si prioritet për Ministrinë e Financave në kuadër të reformave dhe procesit të integrimit evropian.

“Auditimi i brendshëm përbën një prej shtyllave kryesore të mirëqeverisjes, transparencës dhe integritetit financiar,” u shpreh ai.

Ministri bëri të ditur se janë ndërmarrë hapa konkretë për të transformuar këtë sektor dhe për ta përafruar me standardet ndërkombëtare.

“Janë ndërmarrë hapa konkretë për të transformuar rolin e audituesit të brendshëm dhe për ta afruar atë me standardet më të avancuara ndërkombëtare,” deklaroi Malaj.

Ai përmendi ndër masat kryesore hartimin e manualit të ri të auditimit të brendshëm, hapjen e procesit të certifikimit profesional për audituesit, si dhe bashkëpunimin me OECD/SIGMA për rritjen e kapaciteteve profesionale.

Gjithashtu, Malaj theksoi rëndësinë e adoptimit të Standardeve Globale të Auditimit të Brendshëm, të realizuar përmes bashkëpunimit mes Ministrisë së Financave dhe IIA Albania.

“Këto hapa përbëjnë një dëshmi të qartë se Shqipëria po ndërton një sistem auditimi që bazohet tek cilësia, integriteti dhe besueshmëria,” tha ai.

Duke u ndalur te procesi i integrimit, ministri vuri në dukje rëndësinë e Kapitullit 32 “Kontrolli financiar”.

“Përmbushja e standardeve të këtij kapitulli kërkon sisteme më efektive të kontrollit të brendshëm dhe auditim të pavarur e profesional,” u shpreh Malaj.

Ai shtoi se kjo nuk është vetëm një kërkesë teknike e Bashkimit Evropian, por një domosdoshmëri për të ndërtuar besimin e qytetarëve dhe për të garantuar menaxhim më të mirë të financave publike.

“Një administratë moderne nuk matet vetëm nga politikat që harton, por edhe nga aftësia për të monitoruar dhe përmirësuar zbatimin e tyre,” deklaroi ai.

Në përfundim, Malaj theksoi se Ministria e Financave mbetet e angazhuar për ndërtimin e një sistemi auditimi të brendshëm me pavarësi funksionale dhe rol aktiv në forcimin e qeverisjes publike.




Comments are closed.