Kuba alarmon botën: Diaz-Canel denoncon kërcënimet e Trump për sulm ushtarak
Presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të reagojë ndaj kërcënimeve të Donald Trump për një ndërhyrje ushtarake, duke i cilësuar ato si të rrezikshme dhe të paprecedenta.
Reagimi i tij erdhi pasi presidenti amerikan përsëriti deklaratat për “marrjen e kontrollit” të ishullit dhe për mundësinë e vendosjes së një aeroplanmbajtëseje amerikane në rajonin e Karaibet.
Në një reagim publik, Díaz-Canel theksoi se çdo agresion ushtarak do të kishte pasoja serioze dhe paralajmëroi se Kuba nuk do të dorëzohet përballë presionit, pavarësisht fuqisë së kundërshtarit.
Ai shtoi se, sipas tij, këto qëndrime lidhen edhe me interesat e komunitetit kubanez në Florida, i cili ka ndikim në politikën amerikane.
Deklaratat e Trump vijnë në një moment kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë forcuar më tej sanksionet ndaj Havanës, duke zgjeruar masat ekonomike dhe duke rritur presionin ndaj qeverisë kubane.
Ndërkohë, në kryeqytetin Havana u zhvillua një marshim proteste kundër kërcënimeve amerikane, ku morën pjesë edhe figura historike si Raúl Castro, duke theksuar unitetin e vendit përballë tensioneve në rritje.







