Rama: Marrëveshje strategjike me SHBA për energjinë, Vlora drejt kthimit në nyje rajonale gazi
Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt rritjes së sigurisë dhe pavarësisë energjetike përmes një marrëveshjeje strategjike për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës.
Në një video nga Berlin, Rama bëri të ditur se marrëveshja është realizuar në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe parashikon furnizimin me gaz të lëngshëm natyror për një periudhë 20-vjeçare.
Sipas tij, investimi do të mundësojë transformimin e TEC-i i Vlorës, i ndërtuar fillimisht për naftë, në një central që do të përdorë gaz natyror, duke rritur efikasitetin dhe qëndrueshmërinë e prodhimit të energjisë.
Kryeministri theksoi se ky projekt do të ndikojë në diversifikimin e burimeve energjetike dhe në forcimin e sovranitetit energjetik të vendit, ndërsa pritet të tërheqë investime të reja në sektor.
Ai shtoi se rritja e kapaciteteve energjetike do të mbështesë zhvillimin e teknologjive të avancuara, përfshirë qendrat e të dhënave dhe inteligjencën artificiale, që pritet të kenë rol kyç në të ardhmen.
Sipas Ramës, Vlora synon të kthehet në një nyje të rëndësishme energjetike rajonale, duke shërbyer jo vetëm për prodhim, por edhe për shpërndarje dhe eksport të gazit përmes Trans Adriatic Pipeline.
Marrëveshja përfshin gjithashtu ndërtimin e një lidhjeje me tubacion mes Vlorës dhe Fieri, ku kalon gazsjellësi TAP, duke forcuar më tej infrastrukturën energjetike të vendit.







