Ministri Andis Salla: “BIOBES”, modeli shqiptar i suksesit që çon bimët medicinale në tregjet globale

01 May 2026 • 21:05
Shpërndaje:

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, vizitoi sipërmarrjen BIOBES, një histori suksesi në sektorin e bimëve aromatike dhe mjekësore, e ndërtuar nga sipërmarrësi Besnik Koçi, i cili ka investuar në vendlindje të ardhurat e siguruara nga emigracioni.

Gjatë vizitës, ministri e cilësoi këtë iniciativë si një model frymëzues për zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë rurale, duke theksuar rëndësinë e investimeve në rritjen e prodhimit vendas dhe zgjerimin e eksporteve.

Ai u ndal edhe te programet mbështetëse për fermerët dhe bizneset e vogla, duke veçuar nismën “Dyfisho ndërmarrjen tënde” si një instrument konkret për rritjen e sipërmarrjeve.

Reklamë Ola

Kompania “BIOBES”, e ngritur mbi një traditë familjare, është shndërruar në një sipërmarrje lider që lidh fermerët shqiptarë me tregjet ndërkombëtare. Prej më shumë se një dekade, ajo merret me grumbullimin, përpunimin dhe eksportin e bimëve aromatike dhe mjekësore, duke bashkëpunuar me rreth 650 familje fermerësh në të gjithë vendin.

Produkte si sherebela, dëllenja dhe kalendula, të mbledhura nga natyra shqiptare, përpunohen sipas standardeve moderne dhe eksportohen drejt tregjeve të Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më gjerë, duke krijuar vlerë të shtuar për ekonominë vendase.

Reklamë InterMedika

Aktualisht, kompania eksporton në vende si Gjermania, Austria, Franca, Japonia, Izraeli dhe tregje të vendeve arabe, duke ndërtuar një rrjet të gjerë ndërkombëtar.

Ministri Salla theksoi se modele të tilla janë thelbësore për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare dhe fuqizimin e fermerëve vendas, duke e cilësuar “BIOBES” si një shembull të suksesshëm të zinxhirit të prodhimit “Made in Albania”.