×
Thursday, April 30, 2026

Petr Macinka: Shqipëria me progres mbresëlënës drejt Bashkimi Evropian, mbështetje e fortë nga Europa

April 30, 2026


Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Petr Macinka, vlerësoi sot se Shqipëria po shënon progres të shpejtë dhe real në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar ritmin e hapjes së kapitujve negociues si mbresëlënës dhe dëshmi të angazhimit serioz të vendit ndaj reformave.

Deklaratat u bënë në Tiranë gjatë një konference të përbashkët për mediet, ku Macinka ishte i pranishëm së bashku me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ministren e Austrisë dhe ministrin e Sllovakisë, në kuadër të formatit Slavkov 3.

Petr Macinka theksoi se vizita e përbashkët e tre ministrave përçon një mesazh të qartë mbështetjeje për rrugëtimin evropian të Shqipërisë, duke kujtuar edhe periudhën kur vendi dorëzoi aplikimin për anëtarësim në vitin 2009.

Sipas tij, përparimi i deritanishëm i Shqipërisë përbën një bazë të fortë për fazat e ardhshme të negociatave, ndërsa ritmi i hapjes së kapitujve në një periudhë 12-mujore është “mbresëlënës”.

“Shqipëria është e angazhuar seriozisht në procesin e integrimit dhe ka kapacitetet për të ecur përpara,” u shpreh ai, duke vlerësuar progresin e bërë deri tani.

Macinka u ndal edhe te rëndësia e Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar rajonin thelbësor për stabilitetin dhe sigurinë e Europës, dhe duke theksuar se vendet e rajonit i përkasin familjes evropiane.

Ai nënvizoi se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar në meritë, dialog dhe bashkëpunim, duke ruajtur besueshmërinë e perspektivës evropiane.

Në përfundim, ai vlerësoi Shqipërinë si një partnere të rëndësishme dhe kontribuuese në bashkëpunimin rajonal, ndërsa ritheksoi mbështetjen për vijimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.




Comments are closed.