×
Thursday, April 30, 2026

Toni Gogu inspekton kampusin për të miturit në Mëzez, punimet drejt përfundimit në 2026

April 30, 2026


Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, zhvilloi një vizitë në kantierin e kampusit të ri për të miturit në konflikt me ligjin në Mëzez, i shoqëruar nga zëvendësministrja Elona Hoxha dhe drejtoresha e Qendrës për të Mitur, Klaudia Hasanllari.

Sipas të dhënave nga terreni, punimet kanë arritur në rreth 70% dhe pritet të përfundojnë në nëntor të vitit 2026.

Gjatë vizitës, fokusi i diskutimeve ishte mënyra e funksionimit të kësaj qendre dhe ndryshimi i qasjes ndaj të miturve në konflikt me ligjin. Projekti parashikon një strukturë multidisiplinare, që përfshin shërbime edukimi, mbështetje psiko-sociale, programe rehabilitimi dhe ndërhyrje në nivel familjar.

Toni Gogu theksoi se synimi kryesor është ndërhyrja e hershme dhe më efektive, duke shmangur izolimin si përgjigje të parë dhe duke krijuar mundësi reale për riintegrimin e të miturve në shoqëri.

Nga ana e saj, Klaudia Hasanllari u ndal te funksionimi konkret i programeve dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për trajtimin e kësaj kategorie.

Ky projekt konsiderohet një nga ndërhyrjet kryesore në kuadër të reformës për drejtësinë për të mitur, me synimin për të ndërtuar një model modern rehabilitimi, në përputhje me standardet ndërkombëtare.




Comments are closed.