×
Saturday, April 25, 2026

Tregu europian, mundësi e madhe për bizneset shqiptare

April 25, 2026


Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu, deklaroi se Ministria e Ekonomisë mban një rol kyç në procesin e integrimit europian të vendit, teksa vlerësoi se tregu europian përbën një hapësirë të gjerë mundësish për bizneset shqiptare, si në aspektin e konsumit, ashtu edhe të zhvillimit ekonomik.

Në një intervistë për “Abcnews” ditën e sotme, ai theksoi se “Ministria e Ekonomisë mban peshën më të madhe sa i përket procesit të integrimit, kjo ministri udhëheq negociatat në 10 kapituj, ndërsa kontribuon edhe në shumë kapituj të tjerë”.

“Puna e përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, në këtë periudhë dhe në dy apo tre vitet e ardhshme, do të jetë e fokusuar kryesisht tek integrimi europian i ekonomisë shqiptare. Kjo nënkupton rregullimin dhe përafrimin e legjislacionit vendas me atë europian”, u shpreh Musabelliu.

Sipas tij, Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3), e hartuar në bashkëpunim me Komisionin Europian, përcakton sektorët prioritarë për zhvillimin e vendit që janë energjia e rinovueshme, turizmi i qëndrueshëm, digjitalizimi, metalet e çmuara dhe bujqësia organike.

“Duhet të nisim të mendojmë përtej kufijve tanë, sepse tregu europian është një i vetëm kur je në BE; e vetmja që ndryshon është kostoja e transportit. Sa i përket degëve të ekonomisë që do zhvillohen, ka një kuadër të miratuar tashmë. Sipas strategjisë S3 të hartuar në bashkëpunim me Komisionin Europian, janë disa sektorë kyç: energjia e rinovueshme, metalet e çmuara, turizmi i qëndrueshëm, sektorë të digjitalizimit dhe bujqësia organike”, tha ai.

Musabelliu nënvizoi rëndësinë e rritjes së kapaciteteve dhe kualifikimit të forcës punëtore, duke e cilësuar këtë si një element thelbësor për rritjen e konkurrueshmërisë së biznesit shqiptar në tregjet ndërkombëtare.

Sipas tij, integrimi në tregun europian kërkon rritje të standardeve dhe orientim më të fortë drejt inovacionit, aftësimit profesional dhe zgjerimit përtej kufijve vendas.




Comments are closed.