BE lançon aplikacionin për verifikimin e moshës për mbrojtjen e fëmijëve online
Bashkimi Evropian ka krijuar një aplikacion për verifikimin e moshës, i cili është gati për përdorim, në përpjekje për të forcuar mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet në internet.
Institucionet evropiane kanë qenë nën presion në rritje, për të ndërmarrë masa më të rrepta për sigurinë online të të miturve, ndërsa disa shtete anëtare po avancojnë me plane, për të ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nën një moshë të caktuar.
Si do të funksionojë aplikacioni?
Sapo të vihet në dispozicion, përdoruesit do të mund ta shkarkojnë aplikacionin nga platformat online dhe ta konfigurojnë atë duke përdorur pasaportën ose kartën e identitetit.
Qëllimi është të verifikohet mosha pa zbuluar identitetin e plotë të përdoruesit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e krahasoi këtë mekanizëm me praktikat në dyqane, ku kërkohet dëshmi moshe për blerjen e produkteve si pijet alkoolike.
Sipas saj, aplikacioni do të jetë “plotësisht anonim” dhe do të respektojë “standardet më të larta të privatësisë në botë”, duke garantuar që përdoruesit nuk mund të gjurmohen gjatë aksesit në faqet e internetit.
Von der Leyen theksoi se sa më shumë kohë kalojnë fëmijët online, aq më i lartë është rreziku që ata të ekspozohen ndaj përmbajtjeve të dëmshme apo të paligjshme, si dhe ndaj manipulimeve nga persona me qëllime abuzive.
“Ky mjedis nuk i shërben zhvillimit të shëndetshëm të mendjeve të reja”, tha ajo.
Presioni për veprim në nivel evropian
Nisma vjen në një kohë kur disa vende evropiane po shtojnë përpjekjet për të rregulluar përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, duke ndjekur shembullin e masave të fundit të ndërmarra nga Australia, e cila në dhjetor vendosi kufizime për përdoruesit nën 16 vjeç.
Franca ka qenë në krye të kësaj nisme, në bashkëpunim me vende si Danimarka, Greqia dhe Spanja.
Megjithatë, pavarësisht përparimeve në legjislacion dhe ndalimeve të mundshme, ekspertët shprehin shqetësime se fëmijët dhe adoleshentët mund t’i anashkalojnë këto sisteme, përmes përdorimit të rrjeteve private virtuale (VPN) ose duke kaluar në platforma të reja.







