Arba Kokalari për EUNEWS: “Jam zgjedhur nga Suedia, por Shqipërinë e mbaj në zemër”

30 Oct 2025 11:01
Shpërndaje:

Eurodeputetja shqiptare në Strasburg, Arba Kokalari, e cila përfaqëson Suedinë në Parlamentin Europian, ka folur për EUNEWS mbi lidhjen e saj me Shqipërinë dhe mbi ecurinë e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

“Unë jam zgjedhur nga Suedia si eurodeputete e Partisë Moderaterna, por kam lindur në Tiranë,” – tha Kokalari për EUNEWS.

Ajo theksoi se origjina shqiptare është pjesë e pandarë e identitetit të saj dhe e ndihmon ta kuptojë më mirë realitetin shqiptar.

Reklamë Ola

“Jam edhe shqiptare dhe kam eksperiencë e botëkuptim për shqiptarët dhe sfidat që ata kanë përjetuar brenda në Shqipëri. Edhe ne si diasporë, patjetër, kemi një perspektivë që unë e mbaj me vete në punën time,” – shtoi ajo.

Eurodeputetja tha se në aktivitetin e saj politik në BE, përpiqet t’u shpjegojë kolegëve europianë situatën në Shqipëri dhe jetën e shqiptarëve në vende të ndryshme të Europës:

Reklamë InterMedika

“Sidomos për t’ua shpjeguar kolegëve të mi në Bashkimin Europian se çfarë ndodh në Shqipëri, si është situata dhe si jetojnë shqiptarët që banojnë në shtete të ndryshme.”

Sa i përket reformave dhe procesit të integrimit europian, Kokalari shprehet optimiste:

“Unë shoh që Shqipëria po bën shumë reforma. Do ta shihni shumë shpejt që do të futet në BE, dhe ky është një moment historik.”

Ajo nënvizoi se zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit është i rëndësishëm për stabilitetin e kontinentit:

“Ky është një shans shumë i mirë për Shqipërinë, por është i rëndësishëm edhe për BE-në, sepse tregon që mund të kemi stabilitet edhe brenda BE-së kur shtetet e Ballkanit të bëhen pjesë e familjes sonë.”

Në përmbyllje, Kokalari tha se, pavarësisht se përfaqëson Suedinë, lidhja me Shqipërinë mbetet e pathyeshme:

“Unë jam e zgjedhur nga Suedia dhe mbroj interesat e saj në BE, por patjetër që gjithmonë jam edhe shqiptare nga zemra.”