Eurodeputetët grekë kërkojnë që “Republika e Maqedonisë së Veriut” të zëvendësohet me “Shkup” në dokumentet zyrtare të BE-së!

25 Jun 2025 13:25
Shpërndaje:

Një veprim befasues, por pak i vërejtur nga publiku rajonal, ka ndodhur në Parlamentin Evropian: eurodeputetët grekë Emanuil Fragkos dhe Galatia Alexandraki, që në amandamentin e parë të një raporti zyrtar, kanë kërkuar që termi “Republika e Maqedonisë së Veriut” të zëvendësohet me “Shkup”.

Ky qëndrim vjen nga përfaqësues të shtetit grek – vendi që në vitin 2018 nënshkroi Marrëveshjen e Prespës, përmes së cilës u arrit pajtimi për ndryshimin e emrit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”. Megjithatë, duket se edhe emri i ri kushtetues nuk është i pranueshëm për një pjesë të elitës politike greke, të cilët tani preferojnë që vendi të identifikohet vetëm me emrin e kryeqytetit – Shkup.

Kjo përpjekje kaloi pothuajse pa reagim, si në Maqedoninë e Veriut, ashtu edhe në Bullgari dhe Greqi, ndonëse përbën një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj frymës dhe zbatimit të Marrëveshjes së Prespës.

Reklamë Ola

Sipas autorit të artikullit në Tribuna.mk, ky është realiteti i politikës ndërkombëtare: retorika në zyrat e Brukselit nuk përputhet me ndjeshmëritë e Ballkanit, ndërsa elitat vendore vazhdojnë të heshtin për çështje thelbësore të identitetit dhe sovranitetit.