Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi sot se “Evropa e mbrojtjes më në fund është zgjuar”, gjatë fjalës së saj në sesionin hapës të Samitit të NATO-s për Forumin e Industrisë së Mbrojtjes që po zhvillohet në Hagë.
Von der Leyen e cilësoi historik objektivin e ri që pritet të vendoset nga Samiti i NATO-s: 5% e shpenzimeve të vendeve anëtare të shkojnë për mbrojtjen. Sipas saj, kjo është një përgjigje ndaj rreziqeve të reja globale dhe sfidave të sigurisë.
“Arkitektura e sigurisë që kemi pasur për dekada nuk është më e garantuar. Na duhet të ndërtojmë një Evropë të fortë dhe të përgatitur”, u shpreh ajo.
Presidentja e Komisionit prezantoi edhe planin “ReArm Europe”, një iniciativë e re që synon të mobilizojë 650 miliardë euro në investime për mbrojtjen deri në vitin 2030. Po ashtu, ajo përmendi instrumentin financiar SAFE, që do të ofrojë 150 miliardë euro kredi për blerje të përbashkëta ushtarake dhe projekte afatgjata.
BE po planifikon gjithashtu uljen e burokracisë për të përshpejtuar investimet në mbrojtje dhe ka nënshkruar tetë marrëveshje partneriteti në fushën e sigurisë me vende nga e gjithë bota, përfshirë edhe marrëveshjen më të fundit me Kanadanë.
Von der Leyen theksoi se instrumenti SAFE nuk është i rezervuar vetëm për vendet anëtare të BE-së, por edhe për vende si Ukraina, si dhe për partnerë strategjikë si Mbretëria e Bashkuar, Japonia, Norvegjia dhe Koreja e Jugut.
“Kjo është mënyra se si mund të përshpejtojmë dhe rrisim kapacitetet tona mbrojtëse, jo të izoluar, por në bashkëpunim me aleatët më të besueshëm,” tha ajo.
Në fund, presidentja paralajmëroi se në pesë vitet e ardhshme Rusia do të jetë në gjendje të sfidojë kapacitetet e mbrojtjes europiane. Ndaj, ajo theksoi se deri në vitin 2030, Evropa duhet të jetë plotësisht e përgatitur për një “parandalim të besueshëm” ndaj çdo kërcënimi.


