×
Monday, May 25, 2026

Macron: Investoni në Shqipëri pikë hyrëse në rajon, ka udhëheqje të fortë

May 17, 2025


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, deklaroi sot në Tiranë se Shqipëria është një vend i qëndrueshëm dhe i besueshëm në rajon dhe se përfaqëson një pikë kyçe për Ballkanin dhe Europën.

Duke marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar “Future Investment Initiative” (FII), i cili për herë të parë mbahet në Europë dhe pikërisht në Shqipëri, Macron inkurajoi investitorët nga e gjithë bota të investojnë në Shqipëri, duke i siguruar ata se ka një udhëheqje të fortë.

“Është jashtëzakonisht mirë t’ju kemi në Europë. E di që vini nga anë të ndryshme të botës. Shqipëria është një vend i qëndrueshëm dhe i besueshëm. Mos i nënvlerësoni kurrë fuqitë e këtyre cilësive në botën e sotme”, theksoi Presidenti francez.

Ai shtoi se Shqipëria përfaqëson një pikë hyrëse strategjike për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë në Mesdhe dhe Europë. Në këtë kontekst, Macron u bëri thirrje investitorëve ndërkombëtarë të shohin nga Shqipëria dhe të investojnë në rajon.

“Jam shumë i lumtur që jeni këtu, përtej shakave me kryeministrin Rama. Këtu në Shqipëri, qartësisht keni në fakt pikën hyrëse në këtë rajon të Ballkanit Perëndimor, por edhe më gjerë. Dhe është një pikë kyçe në Mesdhe dhe në Europë. Ndaj ju inkurajoj të investoni në Shqipëri, sepse keni një udhëheqje të fortë. Dhe nuk flas vetëm sepse është miku im, por sepse ka sjellë rezultate. Dhe në 2 vitet që vijnë, duke qenë se ka mandat të qartë do të jenë pjesë e BE-së”, deklaroi Macron.

Presidenti francez theksoi gjithashtu se tashmë ekziston një linjëzim strategjik midis Francës dhe Gjermanisë, që do të shërbejë për të avancuar agjendën europiane të zgjerimit dhe zhvillimit.

“Dua të dini, të jeni të sigurtë se ne si europian do të japim rezultate. Tashmë që kemi një linjëzim të fortë midis Francës dhe Gjermanisë, do të bëjmë maksimunim që të realizojmë këtë agjendën që folëm. Besojini Europës, investoni në Europë, sepse kemi nevojë për besimin investimet tuaja, që të realizojmë këtë agjendë kaq ambicioze, sepse mendoj se është e duhura, jo vetëm për europianët, por edhe vendet e tjera për të krijuar sa më shumë stabilitet”, deklaroi ai.

Forumi Ndërkombëtar “Future Investment Initiative” (FII) është pjesë e një serie forumesh globale që promovojnë dialogun ndërsektorial dhe nxitin veprimin konkret për të adresuar sfidat më urgjente të kohës sonë, përfshirë ndryshimet klimatike, zhvillimin e qëndrueshëm dhe transformimin teknologjik.




Comments are closed.