Duhet të përmbushë reformat”/ BE-ja kërkon të pezullojë 7.5 miliardë euro fonde për Hungarinë

18 Sep 2022 15:05
Shpërndaje:

Komisioni Evropian propozoi pezullimin e 7.5 miliardë eurove fonde për Hungarinë, teksa pret që Budapesti të përmbushë reformat e premtuara sa i përket luftës kundër korrupsionit.

Bashkimi Evropian dhe Hungaria prej muajsh kanë mosmarrëveshje, me Brukselin që dyshon se Qeveria e udhëhequr nga nacionalisti Viktor Orban po minon sundimin e ligjit dhe po shfrytëzon paratë e BE-së për të pasuruar miqtë e tij.

“Komisioni propozon pezullimin e 75 për qind të angazhimeve për programet e kohezionit dhe politikën e kohezionit, që arrin vlerën prej 7.5 miliardë eurosh”, tha të dielën në një konferencë për media, komisioneri për Buxhet i KE-së, Johannes Hahn.

Reklamë Ola

“Hungaria është zotuar që ta njoftojë plotësisht Komisionin për zbatimin e masave përmirësuese deri më 19 nëntor”, tha ai.

“Ne do ta vlerësojmë edhe një herë situatën”, shtoi Hahn. Vendimi përfundimtar për këtë propozim do të merret nga Këshilli i BE-së.

Reklamë InterMedika

Të shtunën, Qeveria hungareze tha se deputetët do të votojnë javën e ardhshme një sërë ligjesh që kanë për qëllim që të ulin tensionet me bllokun evropian sa i përket përmbushjes së reformave.