Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, ka vënë në pikëpyetje argumentet historike që Moska përdor për të justifikuar pretendimet territoriale ndaj Ukrainës, duke deklaruar se, sipas së njëjtës logjikë, edhe Rusia duhet t’i kthehej Mongolisë, raporton Euronews Italia.
Në një intervistë për të përjavshmen franceze “Le Point”, Lukashenko argumentoi se zhvillimet e periudhave të largëta historike nuk mund të shërbejnë si justifikim për pretendime territoriale ndaj shteteve të pavarura.
Presidenti bjellorus iu referua periudhës së sundimit mongol mbi principatat ruse, nga shekulli XIII deri në fund të shekullit XV.
“Dhe sot të thuash se këto toka janë ruse dhe kanë qenë të tilla që nga kohët e lashta… Në një moment kanë qenë ruse. Por, nëse shohim më thellë, të njëjtat toka ruse dikur ishin mongolo-tatare. Atëherë, a duhet t’ia dorëzojmë gjithë Rusinë Mongolisë?”, deklaroi Lukashenko.
Ai iu referua gjithashtu Rusisë së Kievit, duke evidentuar rëndësinë e territoreve të Ukrainës së sotme në historinë e formimit të shtetësisë së popujve sllavë lindorë.
Pavarësisht këtyre deklaratave, Lukashenko mbrojti qëndrimin e presidentit rus, Vladimir Putin, duke argumentuar se ai nuk e vë në dyshim ekzistencën e popullit ukrainas apo shtetësinë e Ukrainës, por se deklaratat e tij shpesh keqinterpretohen.
Kreu i shtetit bjellorus shtoi se ndan qëndrimin e Moskës për nevojën e një të ardhmeje të përbashkët për popujt e rajonit.


