Putin vë në shërbim nëndetësen bërthamore “Perm”, Rusia zgjeron flotën ushtarake

28 Nov 2026 • 11:20
Shpërndaje:

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka vënë në shërbim të marinës ushtarake ruse nëndetësen bërthamore “Perm”, gjatë një ceremonie të zhvilluar në qytetin Severodvinsk, në veri të Rusisë.

“Perm” pritet të jetë nëndetësja e parë ruse e pajisur që në fazën e ndërtimit me raketa hipersonike “Zircon”, si pjesë e armatimit të saj standard.

Nëndetësja do t’i bashkohet Flotës Ruse të Paqësorit, me synim forcimin e kapaciteteve ushtarake të Moskës në Lindjen e Largët dhe në rajonin e Arktikut.

Reklamë Ola

“Rusia është një nga vendet e pakta në botë që ka aftësinë të ndërtojë nëndetëse të tilla të fuqishme bërthamore, armë me rreze veprimi dhe rëndësi globale”, deklaroi Putin gjatë ceremonisë.

Presidenti rus njoftoi gjithashtu se deri në vitin 2030 marina ruse do të pajiset me pesë nëndetëse të tjera raketore, në kuadër të programit të modernizimit të flotës dhe zëvendësimit të nëndetëseve të mbetura nga periudha sovjetike.

Reklamë InterMedika

Ndërtimi i këtyre nëndetëseve realizohet në kantierin detar “Sevmash”, pranë Detit të Bardhë, një nga qendrat kryesore të industrisë ushtarake detare ruse.

Zgjerimi i kapaciteteve detare të Moskës vjen në një kohë kur lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e saj të pestë. Gjatë konfliktit, Rusia ka pësuar humbje në flotën e saj ushtarake dhe është detyruar të tërhiqet nga pjesa perëndimore e Detit të Zi.