Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar sot popullin shqiptar me rastin e 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duke riafirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Në një deklaratë të publikuar nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, Rubio vlerësoi partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe politikës së jashtme.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u përcjell urimet e mia më të përzemërta popullit shqiptar me rastin e Ditës së Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë një marrëdhënie të fortë, të ndërtuar mbi sigurinë e përbashkët, begatinë ekonomike dhe lidhjet mes popujve tanë”, thuhet në deklaratë.
Rubio nënvizoi se partneriteti strategjik me Shqipërinë kontribuon në rritjen e sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve të të dy vendeve, veçanërisht përmes përpjekjeve të përbashkëta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe karteleve të trafikut të drogës.
Sekretari amerikan i Shtetit vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin në përballimin e kërcënimeve kibernetike dhe përpjekjet e Shqipërisë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse në këtë fushë.
“Në këtë ditë të veçantë, presim me kënaqësi të thellojmë më tej të gjitha fushat e marrëdhënieve tona, në dobi të të dy vendeve”, u shpreh Rubio, duke konfirmuar gatishmërinë e Uashingtonit për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Tiranën.


