Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar ndjesë kryeministres italiane, Giorgia Meloni, për mungesën e njoftimit paraprak të Romës lidhur me operacionin ushtarak kundër një anijeje luftarake ruse në portin e Bengazit, në Libinë lindore.
Sipas gazetës italiane “Il Messaggero”, dy liderët zhvilluan një bisedë telefonike, gjatë së cilës Meloni nënvizoi rëndësinë e koordinimit paraprak për operacione të tilla, për shkak të afërsisë gjeografike dhe pasojave të mundshme për sigurinë në Mesdhe.
Palët raportohet se kanë rënë dakord për forcimin e koordinimit dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet shërbimeve të inteligjencës, me qëllim shmangien e situatave të ngjashme në të ardhmen.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, kundërshtoi deklaratat e Zelenskyt për koordinimin me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se Italia dhe aleatët nuk ishin informuar paraprakisht për operacionin.
“Nuk ka pasur kurrë asnjë koordinim me Ukrainën për këtë operacion të veçantë dhe aleatët nuk ishin në dijeni të asaj që po bënin ukrainasit në Libi. Prandaj, nuk është e vërtetë ajo që tha Zelensky”, deklaroi Tajani.
Në një intervistë për BBC-në, presidenti ukrainas mbrojti operacionin, duke e cilësuar anijen luftarake ruse “Merkury” si një objektiv të ligjshëm ushtarak dhe duke pohuar se Ukraina koordinohet me partnerët përpara ndërmarrjes së veprimeve të tilla.
Nga ana tjetër, Meloni kishte paralajmëruar se sulmi, i cili sipas raportimeve çoi në fundosjen e anijes ruse, rrezikon zgjerimin e konfliktit në Mesdhe, një skenar që Roma e konsideron të papranueshëm.
Ngjarja ka nxitur reagime edhe në politikën e brendshme italiane. Kreu i Lëvizjes Pesë Yjet (M5S), Giuseppe Conte, kërkoi që kryeministrja të japë shpjegime në Parlament për mungesën e njoftimit paraprak dhe rreziqet që operacioni mund të paraqesë për personelin ushtarak dhe interesat strategjike të Italisë në Libi.
Conte kërkoi gjithashtu sqarime në nivel evropian mbi koordinimin e operacionit, duke paralajmëruar se zgjerimi gjeografik i konfliktit mund të cenojë sigurinë rajonale dhe perspektivën e arritjes së paqes.


