Rama: Viti 2027, vendimtar për integrimin në BE dhe uljen e tarifave të roaming-ut

27 Nov 2026 • 13:59
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me komisioneren evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, në Pallatin e Brigadave në Tiranë, rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të procesit të integrimit evropian deri në vitin 2027.

Në përfundim të Samitit të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes, Rama u ndal te përfitimet konkrete të integrimit gradual në tregun e përbashkët evropian, duke veçuar reduktimin e tarifave të roaming-ut për qytetarët dhe bizneset.

“Synimi ynë është që në vitin 2027 qytetarët tanë të kenë tarifa të reduktuara të roaming-ut. Do të jetë një kursim i madh gjatë vitit 2027, të cilin qytetarët do ta ndiejnë”, deklaroi kryeministri.

Reklamë Ola

Duke iu referuar Konferencës së Investimeve BE–Ballkani Perëndimor, Rama vlerësoi potencialin ekonomik të rajonit dhe mundësitë e krijuara për bashkëpunim me bizneset evropiane. Ai nënvizoi rëndësinë e investimeve strategjike në infrastrukturën e transportit, energji dhe digjitalizim.

“Korridoret e transportit, interkoneksionet energjetike dhe rrjetet digjitale janë investime në aftësinë e ekonomive tona për të tregtuar dhe për t’u rritur së bashku”, u shpreh Rama.

Reklamë InterMedika

Kreu i qeverisë bëri të ditur se diskutimet me komisioneren Kos kanë shkuar përtej zbatimit të Planit të Rritjes, duke e cilësuar vitin 2027 si një objektiv të qartë për përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit.

“Ne nuk do të lëmë asgjë mangët nga ana jonë, duke plotësuar pikë për pikë detyrat që kemi. Jo se na i kërkon ‘zysha’ që kam në krah, por sepse na i kërkon e nesërmja e fëmijëve tanë dhe e vendit tonë”, deklaroi ai.

Rama theksoi se përmbushja e reformave në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Evropian përbën njëkohësisht një proces modernizimi të Shqipërisë, konsolidimi të institucioneve dhe forcimi të shtetbërjes.

Në përfundim të konferencës, kryeministri falënderoi komisioneren Marta Kos për angazhimin e saj ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se vendi nuk kërkon favore, por mundësinë për të përmbushur të gjitha detyrimet që burojnë nga procesi i anëtarësimit në BE.