Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria mund të nënshkruajë Traktatin e Anëtarësimit në Bashkimin Evropian në vitin 2028 dhe të bëhet anëtare e Unionit deri në vitin 2030, nëse përmbush reformat e kërkuara dhe siguron miratimin e vendeve anëtare.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, në përfundim të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, Kos theksoi se Shqipëria mund të jetë shumë pranë përmbylljes së negociatave në fund të vitit 2027.
“Nëse gjithçka ecën siç duhet, mund të nënshkruhet në vitin 2028. Varet nga vizioni i qeverisë suaj, ratifikimi, edhe vizioni i qytetarëve. Pra, Shqipëria mund të bëhet vend anëtar deri në vitin 2030”, deklaroi komisionerja.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama nënvizoi se procesi i anëtarësimit nuk ka një datë të garantuar, pasi avancimi në çdo fazë kërkon dakordësinë e të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Rama kujtoi periudhën e mëparshme të bllokimit të procesit të integrimit, kur, pavarësisht vlerësimeve pozitive të Komisionit Evropian për përmbushjen e detyrimeve nga Shqipëria, kundërshtimet e vendeve anëtare pengonin avancimin e negociatave.
Kreu i qeverisë e cilësoi perspektivën evropiane si një mundësi unike për modernizimin e vendit, konsolidimin e institucioneve dhe forcimin e shtetit, duke theksuar se Shqipëria duhet të vijojë përmbushjen e angazhimeve reformuese.
Duke iu referuar ecurisë së vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Rama evidentoi ndryshimin e pozicionit të Shqipërisë në procesin e integrimit krahasuar me Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Malin e Zi.
“Datat mund të vendosen si objektiva, por mund të lëvizin, sepse janë 27 vende që duhet të bien dakord në çdo hap”, deklaroi kryeministri.
Rama vlerësoi gjithashtu hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave në një kohë rekord, duke rikonfirmuar angazhimin e qeverisë shqiptare për të vijuar bashkëpunimin e ngushtë me Komisionin Evropian dhe përmbushjen e detyrimeve në funksion të anëtarësimit.


