Samiti i BE-së në Bruksel, pesë çështjet që përçajnë liderët për buxhetin e ardhshëm

26 Nov 2026 • 10:52
Shpërndaje:

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian mblidhen këtë të enjte në Bruksel, mes mosmarrëveshjeve të thella për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të bllokut për periudhën 2028–2034.

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, po përpiqet të sigurojë mbështetje për propozimin e tij të fundit, i cili parashikon shkurtime shtesë prej 44 miliardë eurosh krahasuar me planin e mëparshëm.

Sipas POLITICO, liderët evropianë do të diskutojnë për buxhetin dhe kredinë prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, përpara se të zhvillojnë takime në grupe më të vogla dhe bisedime dypalëshe. Megjithatë, një marrëveshje nuk pritet të arrihet përpara samitit të fundit të vitit, që nis më 17 dhjetor.

Reklamë Ola

“Evropa nuk mund të kërkojë më shumë nga vetja, ndërkohë që zgjedh të investojë më pak. Nuk mund të ketë një Evropë të fortë me një buxhet të dobët evropian”, deklaroi kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.

Një nga mosmarrëveshjet kryesore lidhet me madhësinë e buxhetit. Gjermania dhe Holanda kërkojnë një buxhet më të kufizuar, të orientuar drejt mbrojtjes dhe konkurrueshmërisë, ndërsa vende si Italia dhe Polonia kërkojnë rritjen e financimeve dhe ruajtjen e mbështetjes për bujqësinë dhe rajonet më pak të zhvilluara.

Reklamë InterMedika

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se propozimi i Costa-s është 40% më i lartë se buxheti shtatëvjeçar i miratuar në vitin 2020. Megjithatë, komisioneri evropian për Buxhetin, Piotr Serafin, ka kundërshtuar këtë argument, duke theksuar se krahasimi nuk merr parasysh inflacionin. Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të ardhshëm do të përdoret gjithashtu për shlyerjen e borxhit të marrë pas pandemisë.

Financimi i bujqësisë përbën një tjetër pikë përplasjeje. Propozimi aktual parashikon deri në 297 miliardë euro pagesa të drejtpërdrejta për fermerët gjatë periudhës 2028–2034. Presidenti francez, Emmanuel Macron, kërkon që përqindja e këtyre fondeve të rezervuara posaçërisht për fermerët të rritet nga 80% në 90%, kërkesë që kundërshtohet nga disa vende anëtare.

Mosmarrëveshje ka edhe për propozimin e vendosjes së pesë taksave të reja në nivel evropian, të cilat synojnë të gjenerojnë rreth 60 miliardë euro në vit dhe të reduktojnë kontributet e drejtpërdrejta nga buxhetet kombëtare. Polonia kundërshton përdorimin e të ardhurave nga sistemi i tregtimit të emetimeve, Luksemburgu kundërshton transferimin e të ardhurave nga taksat e duhanit, ndërsa Irlanda shpreh rezerva për taksimin e kompanive të mëdha teknologjike, për shkak të rrezikut të kundërmasave amerikane.

Një tjetër çështje e debatueshme është financimi i Ukrainës. Gjermania po ushtron presion ndaj Hungarisë, Sllovakisë, Çekisë dhe Bullgarisë që të kontribuojnë në mbulimin e kostove të huamarrjes për kredinë prej 45 miliardë eurosh për Kievin. Berlini, që kontribuon me rreth një të katërtën e buxhetit të BE-së, ka paralajmëruar reduktimin e kontributit të tij nëse këto vende vijojnë të kundërshtojnë pjesëmarrjen.

Përplasjet shtrihen edhe në sektorin e mbrojtjes. Franca kërkon kufizimin e aksesit të kompanive jashtë BE-së në fondet evropiane të mbrojtjes. Propozimi i Costa-s parashikon pjesëmarrjen e kompanive nga vende aleate, përfshirë Britaninë e Madhe, Kanadanë, Norvegjinë dhe Ukrainën, por jo Shtetet e Bashkuara. Në të kundërt, Rumania kërkon zgjerimin e aksesit të kompanive amerikane në tregun evropian të mbrojtjes.

Sipas diplomatëve evropianë të cituar nga POLITICO, samiti i kësaj të enjteje pritet të karakterizohet nga debate të forta, ndërsa qeveritë kombëtare nuk janë ende të gatshme të bëjnë lëshime. Negociatat e dhjetorit pritet të jenë vendimtare për afrimin e qëndrimeve mbi buxhetin e ardhshëm të Bashkimit Evropian.