BE dhe UN Women në Shqipëri, mesazh kundër dhunës ndaj grave në nisje të 16 Ditëve të Aktivizmit

25 Nov 2026 • 14:25
Shpërndaje:

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka përcjellë një mesazh në nisje të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes dhe fuqizimit ekonomik të grave që përjetojnë dhunë.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe UN Women, është prezantuar historia e një gruaje që, pas përjetimit të dhunës në familje dhe divorcit, arriti të rindërtojë jetën e saj dhe të krijojë mundësi të reja për veten dhe vajzën.

Në dëshminë e saj, gruaja rrëfen vështirësitë pas ndarjes, përpjekjet për të siguruar të ardhura për familjen dhe rëndësinë e mbështetjes që mori për të ndjekur kurse dhe për të zgjeruar biznesin e saj.

Reklamë Ola

“Familja ime ende ka nevojë për mua, por tani ndërtoj edhe gjithçka për veten”, shprehet ajo në video.

Në mesazhin shoqërues, Delegacioni i BE-së në Shqipëri nënvizon se asnjë grua nuk duhet të jetojë me dhunën apo ta përballojë atë e vetme, duke vënë theksin te solidariteti, pavarësia ekonomike dhe krijimi i mundësive për një jetë të re.

Reklamë InterMedika

Fushata ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore” nis më 25 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe vijon deri më 10 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Nisma synon të rrisë ndërgjegjësimin publik, të mobilizojë institucionet dhe shoqërinë në parandalimin e dhunës me bazë gjinore, si dhe të promovojë mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave.