Rutte paralajmëron Rusinë: NATO do të mbrohet edhe nga kërcënimet në hapësirë

24 Nov 2026 • 09:56
Shpërndaje:

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca është e gatshme të përballet me çdo kërcënim që mund të vijë nga hapësira, pas raportimeve se Rusia po përgatitet të lëshojë një satelit të pajisur me armë bërthamore.

Sipas mediave gjermane, vendet anëtare të NATO-s kanë shkëmbyer gjatë këtij muaji informacione të inteligjencës mbi mundësinë e lëshimit të një sateliti të tillë rus brenda 60 ditëve të ardhshme. Megjithatë, nuk është bërë e ditur se cili shtet ka hartuar këto vlerësime.

I pyetur lidhur me raportimet gjatë një konference për shtyp në Berlin, Rutte theksoi se mbrojtja e vendeve anëtare mbetet përparësi e Aleancës, përfshirë edhe përballimin e kërcënimeve që lidhen me hapësirën.

Reklamë Ola

“Ne gjithmonë do të sigurohemi që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s, dhe kjo përfshin edhe sigurinë tonë kur bëhet fjalë për elementin hapësinor”, deklaroi Rutte.

Kreu i Aleancës shtoi se NATO disponon disa alternativa reagimi dhe se vlerësimet mbi kapacitetet mbrojtëse dhe parandaluese përditësohen në varësi të zhvillimeve dhe kërcënimeve të mundshme.

Reklamë InterMedika

Ndërkohë, Kremlini ka hedhur poshtë raportimet. Zëdhënësi i presidencës ruse, Dmitry Peskov, deklaroi se nuk ishte njohur me informacionet e fundit, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e raportimeve të mbështetura në burime anonime.

Edhe Ambasada e Rusisë në Berlin mohoi pretendimet, duke i cilësuar ato të pabaza dhe pjesë të një fushate propagandistike.

Sipas transmetuesve gjermanë NDR dhe WDR, si dhe gazetës “Süddeutsche Zeitung”, të cilat citojnë burime anonime ushtarake dhe të inteligjencës, sateliti rus në fjalë mban emrin “Sputnik-S”.

Pretendimet për ekzistencën e një sateliti të pajisur me armë bërthamore mbeten të pakonfirmuara publikisht, ndërsa raportimet rikthejnë në vëmendje shqetësimet mbi militarizimin e hapësirës dhe sigurinë ndërkombëtare.