Partia Socialiste ka nisur nga Elbasani turin e prezantimit të platformës “Këshilltari i Bashkisë Time”, një nismë që synon përfshirjen e qytetarëve në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për këshillat bashkiakë, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Në takimin e parë morën pjesë deputetë, drejtues të Partisë Socialiste dhe përfaqësues nga qarqet e Elbasanit, Korçës dhe Beratit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Arbjan Mazniku bëri të ditur se platforma synon t’u japë mundësi qytetarëve që njohin problematikat e komuniteteve të tyre të përfshihen në përfaqësimin vendor.
“Bashkia e nesërme ndërtohet nga njerëzit që e njohin më mirë: ata që jetojnë çdo ditë problemet e lagjes, të fshatit dhe të qytetit të tyre”, u shpreh Mazniku.
Ai theksoi se procesi do të jetë i hapur jo vetëm për anëtarët e Partisë Socialiste, por edhe për qytetarët që mbështesin vizionin e kësaj force politike dhe dëshirojnë të kontribuojnë në qeverisjen vendore.
Sipas Maznikut, përzgjedhja e kandidatëve do të zhvillohet në tri faza: aplikimi, intervista dhe debati publik me qytetarët.
“Ky proces është i hapur për të gjithë, si për anëtarët e PS, ashtu edhe për çdo qytetar që beson te vizioni ynë. Vendin e fiton me meritë, përmes tri fazave: aplikimit, intervistës dhe debatit publik me qytetarët”, deklaroi ai.
Nisma është pjesë e përgatitjeve të Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore të vitit 2027 dhe synon, sipas përfaqësuesve të saj, të zgjerojë pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për këshillat bashkiakë.
Pas takimit në Elbasan, prezantimi i platformës pritet të vijojë edhe në qarqe të tjera të vendit.


