Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, ka akuzuar kryetarin e Bashkisë Kavajë, Fisnik Qosja, për hedhjen e inerteve të ndërtimeve në anë të rrugëve të fshatrave.
Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Balla ka denoncuar situatën në rrugën kryesore të fshatit Bukaq, ku, krahas mungesës së asfaltimit, përgjatë saj janë depozituar mbetje inerte nga ndërtimet.
Balla u shpreh se përgjegjësia për këtë situatë bie mbi Bashkinë Kavajë dhe kryetarin e saj, duke ngritur shqetësimin për mënyrën se si jepen lejet e ndërtimit dhe mungesën e kontrollit mbi administrimin e mbetjeve.
“Mirë që e jep leje ndërtimi vend e pa vend, por që të lësh inertet e ndërtimeve në anë të rrugës së një fshati, kjo është batërdi”, deklaroi Balla.
Ai theksoi se problematika e asfaltimit të rrugës është një çështje më vete, ndërsa kërkoi vëmendje ndaj ndotjes dhe dëmtimit të mjedisit nga hedhja e inerteve në hapësirat publike.
“Kjo që shikoni është rruga kryesore e fshatit Bukaq në Kavajë. Lëreni rrugën që nuk është shtruar, se është muhabet tjetër. Dhe do ta shtrojmë, sigurisht. Por ajo që bën Bashkia Kavajë sot, dhe kryetari i saj i bashkisë, është miratimi me heshtje apo pa heshtje, e hedhjes së të gjitha inerteve në krah të rrugës. Mirë që e jep leje ndërtimi vend e pa vend, por që të lësh inertet e ndërtimeve në anë të rrugës së një fshati, kjo është batërdi”, deklaron Balla në reagimin e tij.


